Drejt BE’së me “Kosmet Put”

Rexhep Selimi tha se Serbia përdori si kapar trupat e shqiptarëve në rrugën e saj drejt BE’së. Ai kritikoi Qeverinë e Kosovës për qasjen ndaj bisedimeve dhe përsëriti atë që e tha Albin Kurti ditë më parë: se kryetarët e Komunave nga Lista serbe janë çetnikë.

Lajme

19/12/2013 09:54

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka kritikuar Qeverinë e Kosovës e cila, sipas tij, ia ka hapur rrugën Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian përmes negociatave që ka zhvilluar nën ndërmjetësimin e BE’së.

Në seancën e sotme të Kuvendit, deputeti Selimi është shprehur se BE i ka mbivlerësuar përparimet e Serbisë në dialog me Kosovën,.

Ai ka thënë se pavarësisht paralajmërimeve, askush nga Qeveria e Kosovës që është përfshirë në këtë dialog, nuk i ka përmendur kurrë të pagjeturit gjatë këtij procesi.

Duke u ndërlidhur me zbulimin e varrezës masive në Rashkë, ai ka thënë se trupat e shqiptarëve të vrarë “Serbia i dha si kapar për rrugën e saj për në BE”.

“Si rezultat i negociatave dhe marrëveshjeve Thaçi-Dacic Serbia mori ditën e fillimit të negociatave për anëtarësim me BE`në ndërsa MUP`i dhe institucionet e Serbisë po legalizohen në Kosovë”.

“Bashkimi Europian ka mbivlerësuar përparimet që i ka bërë Serbia në dialog me Kosovën duke e afruar si shpërblim nisjen e negociatave për anëtarësim”.

“Kështu ju i dhatë amnistinë Serbisë asaj që mbi kurrizin e saj mban barrën e krimeve më të rënda kundër njerëzimit e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë”.

“Kryeministri i Kosovës bisedon me kryeministrin serb jo për kthimin e trupave të të vrarëve e të zhdukurve por për kthimin e atyre që vranë. Ai nuk flet me Dacicin për t`i kthyer trupat e shqiptarëve por për t`i kthyer serbët policë të MUP`it në Policinë e Kosovës”.

“Kosmet Put quhet rruga e Serbisë drejt Europës, rrugë e cila kalon nëpërmes eshtrave të shqiptarëve të vrarë”.

“Si rezultat i këtyre bisedimeve MUP`i serb kthehet në Kosovë, çetnikët udhëheqin me komuna madje edhe ja kanë mësyrë edhe këtij kuvendi përmes kërkesave për vendet e rezervuara”.

“Në të vërtetë me luftën çlirimtare të UÇK`së e hoqëm Kosovën nga Serbia por me negociata e mbajtëm Serbinë brenda Kosovës”, tha Rexhep Selimi.

Për të zhdukurit foli edhe deputetja nga PDK, Ganimete Musliu e cila kërkoi që serbisë t’i bëhet presion për t’i treguar të dhënat që i ka për varrezat masive.

“Serbia i ka të gjitha të dhënat për të pagjeturit prandaj duhet t’i bëhet presion që t’i zbulojë ato”, ka thënë Musliu.