Dortmundi, favorit në Kupë

Franz Beckenbauer e favorizon Borussia Dortmundin, në finalen e Kupës së Gjermanisë, ndaj Bayern Munichut. Sipas legjendës gjermane, verdh e zinjtë kanë mundësi më të mëdha për ta fituar këtë trofe.

Sport

07/05/2014 10:10

Gjatë një interviste të dhënë për tabloidin gjerman, Bild, presidenti i nderit i Bayern Munichut, Franz Beckenbauer ka folur për sfidën finale të DFB Pokal, respektivisht Kupa e Gjermanisë, ndërmjet gjigantit bavarez dhe Borussia Dortmundit, që do të zhvillohet më 17 maj në Berlin.

Legjenda e futbollit gjerman e favorizon ekipin e Jurgen Klopp në këtë duel.

“Sa i përket formës aktuale të të dyja skuadrave, mundësitë në këtë moment janë 60-40 në favor të Borussias”, deklaroi ‘Der Kaiser’.

“Lewandowski? Shpresoj vetëm që të mos ketë dëshirë që ta impresionojë trajnerin e tij të ardhshëm, duke realizuar pikërisht kundër nesh”, përfundoi ish futbollisti i njohur gjerman.

Bayerni e fitoi shumë herët titullin e kampionit në Bundelsigë, por u eliminua në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve nga Real Madridi.