Dorëzim-Pranimi i ngutshëm

Dje Ali Berisha ia dorëzoi zyrën e punës Gazmend Muhaxherit. Por, MAPL i ka porositur që të dy të mos nguten. Ali Berisha duhet të mbetet në detyre deri në inaugurimin e organeve të reja. E kjo do të bëhet pas certifikimit të rezultateve.

Lajme

03/12/2013 16:20

Të hënën në mëngjes, ende pa e marrë veten mirë nga goditja që mori nga votuesit, Ali Berisha po i jepte dorën në zyrën e tij fituesit të zgjedhjeve Gazmend Muhaxherit.

Për ta uruar, e kishte bërë publikisht në shesh, një natë më parë. Vizita e Muhaxhetir në zyrën e Kryetarit të Komunës po bëhej për t’i marrë detyrën e Kryetarit të Komunës, ende pa u publikuar rezultatet përfundimtare nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe pa u certifikuar ato.

Edhe në sajtin zyrtar të Komunës së Pejës, informata e plasuar nga ky takim flet për “dorëzim pranim të detyrës të Kryetarit”.

Ndërtesa e Komunës së Pejës

Por po del që të dy, edhe Berisha edhe Muhaxheri, janë ngutur në këtë veprim.

Përderisa Ali Berisha thotë se puna e tij si Kryetar i Komunës së Pejës ka përfunduar me numërimin e fletëvotimeve ku ai nuk u rikonfirmua në këtë post, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) thotë se Kryetarët e Komunave duhet të vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë deri në inaugurimin e organeve të dala nga zgjedhjet e reja.

“Unë e kam përmbyllë funksionimin në komunë”, ka thënë Ali Berisha, për lajmi.net.

“Vetëm nëse ka ndonjë nevojë urgjente, përndryshe nuk do të dal në zyrë”, është shprehur ai.

Lajmi.net ka provuar të flasë sot gjatë ditës me Gazmend Muhaxherin, por kontakti me të ka qenë i pamundshëm.

Ndërsa zyrtarë të MAPL’së thonë se përveç informatave të publikuara në media, ky institucion nuk ka informata zyrtare lidhur me dorëzimin e mandatit të Kryetarëve të Komunave.

Lumnije Demi nga kjo ministri thotë për lajmi.net nga informatat që ka MAPL, “Gazmend Muhaxhiri nuk ka nisur punën në komunën e Pejës”.

Lumnije demi, Zëdhënëse e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal

“Në pajtim me Ligjin për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës, Kuvendet e Komunave dhe Kryetarët e Komunave vazhdojnë funksionimin e tyre vendimmarrës dhe ekzekutiv deri në inaugurimin e organeve të reja të dala nga zgjedhjet lokale”, thotë për lajmi.net zëdhënësja e kësaj Ministrie, Lumnije Demi.

“Deri në certifikimin e rezultateve dhe konstituimin e organeve të reja komunale, MAPL pret nga organet aktuale të komunës të kujdesen që qytetarët e komunës t’i gëzojnë të gjitha të drejtat dhe shërbimet e nevojshme që janë në mandat të organeve të vetëqeverisjes lokale”.

“MAPL është duke pritur certifikimin përfundimtar të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe pastaj të fillojë të punojë me strukturat e zgjedhura për implementimin e rezultateve dhe konstituimin e organeve të reja komunale, ashtu siç është përcaktuar me legjislacionin e zbatueshëm për vetëqeverisje lokale në Republikën e Kosovës”.

“MAPL nëpërmjet një shkrese të dërguar në komuna, i ka njoftuar organet komunale lidhur me procedurat ligjore që duhet t’i respektojnë gjatë procesit zgjedhor dhe pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KQZ, përfshirë këtu edhe inaugurimin e organeve të reja të komunës”, thotë zëdhënësja Demi për lajmi.net.