Dorëheqje dinjitoze e Ministrit më të suksesshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, z.Armend Mehaj!

I gjithë opinioni mbarëshqiptar, por edhe ai ndërkombëtar, e kanë falënderuar përmes medieve të shkruara dhe elektronike Ministrin e mbrojtjes të Republikës së Kosovës, z.Armend Mehaj, për kulturën e lartë të një ushtaraku të vërtetë, dhe formën e dorëheqjes dinjitoze nga ky post, e të cilin ia dorëzoi bash si vëllai – vëllait, z. Ejup…

Opinion

09/08/2023 20:57

I gjithë opinioni mbarëshqiptar, por edhe ai ndërkombëtar, e kanë falënderuar përmes medieve të shkruara dhe elektronike Ministrin e mbrojtjes të Republikës së Kosovës, z.Armend Mehaj, për kulturën e lartë të një ushtaraku të vërtetë, dhe formën e dorëheqjes dinjitoze nga ky post, e të cilin ia dorëzoi bash si vëllai – vëllait, z. Ejup Maqedonci, një luftëtari të dalluar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe një eprori të lartë të Forcave të Sigurisë së Kosovës.

 

Nuk ka si të ishtë ndryshe, kur dihet se z. Armend Mehaj, rrjedh nga një familje e dëshmuar patriotike, dhe vinte në Kosovë nga Norvegjia, si një ushtarak i NATO-s me karrierë shumë të suksesshme dhe, i cili tregoi aftësi të larta intelektuale e profesionale, duke qenë njëri nga ministrat më të suksesshëm, jo vetëm të Qeverisë Kurti, e duke dhënë rezultate konkrete në avansimin e FSK-së, në një Ushtri moderne, me të gjitha kapacitetet e saja, duke treguar aftësi të rralla të një ushtaraku të vërtetë, për ta shndërruar kështu pasardhsen e UÇK-së, FSK-në, në një Ushtri serioze dhe kandidate potenciale, për të qenë nesër – pasnesër anëtare e NATO-s, me të gjitha standardet e përmbushura profesionale.

Bashkëpunimi permanent i tij me aleatët tanë strategjik, e sidomos me NATO- n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka bërë që, FSK-ja të pajiset me kuadro të shumta, të cilat kanë arritur të shkollohen e të trajnohen gjithandej Evropës dhe botës, e që sot të krenohemi dhe të mburremi me Ushtrinë tonë, Ushtrinë më të re në botë, e cila në të gjitha rrethanat do t’i dal zot popullit të vet të shumëvuajtur e liridashës, me të cilën do të krenohemi për jetë e mot.

Me plot të drejtë, njëri nga ushtarakët më të zotët që kishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Betejat lavdishme të Kosharës, Gjeneral Hisen Berisha, e vlerëson lartë kontributin e Minstrit Mehaj, duke e komentuar edhe në profilin e tij në fb, citoj: “Armend Mehaj si Ministër, me përkushtim për blerjet e armatimit dhe heqjen e kufizimeve ligjore për kapacitetet ushtarake, do të mbetet një “Ministër historik”, që na ka bërë krenarë si ushtarak. Në mandatin e tij, e kemi tronditur Beogradin”, mbarim i citatit.

Një falënderim dhe respekt të veçantë meriton Minisri Mehaj, për faktin se, asnjë ministër i Republikës së Kosovës, asnjë Kryeministër a Kryetar shteti, asnjë diplomat a diplomate, asnjë deputet apo deputete, asnjë politikan a politikane e vendit tonë, nuk i ka vizituar dhe nuk i ka nderuar familjet e dëshmorëve të kombit tonë, më shpesh se sa minsitri Mehaj.

Njeri i përkushtuar ndaj vlerave evroperëndimore dhe evroatlantike, por edhe gjithmonë i gatshëm për t’i respektuar njerëzit me vlera të larta kombëtare, e pa dallime partiake e regjionale, dhe pothuajse i vetmi që e ka dëshmuar me vepra e profesionalizëm, duke u bërë shembull për të tjerët, se më shumë duhet shteti se sa pushteti, dhe, se për shtetin ia vlen të sakrifikohet edhe jeta.

Në asnjë rast nuk i harronte por i nderonte edhe personalisht edhe në formë institucionale njerëzit e sakrificave kombëtare.

Madje, për veprimtarinë time kombëtare dhe kontributin tim shumëvjeçar, sidomos për sukseset jo të vogla që i kam shënuar me publikimin dhe promovimin e veprave të mia publicistike e dokumentare,

gjithandej Evropës dhe botës përparimtare, në funksion të zbardhjes së krimeve gjenocidiale serbe mbi shqiptarët për rreth dy shekuj me radhë, është i vetmi Ministër që më ka nderuar dy herë me mirënjohje, në emër të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, për çka i jam falënderues përjetësisht.

Ishte fascinuese, por edhe emocionuese, forma e dorëzimit të postit të tij, kolegut dhe bashkëpunëtorit të tij të ngushtë, luftëtarit emblematik dhe njërit nga Komandantët shembullor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kolonelit të FSK-së, z. Ejup Maqedonci, e që do të mbahet mend si një nga aktet më të larta morale të një eprori të lartë ushtarak, siç ishte Minsitri Mehaj.

Prandaj, nga zemra i dëshiroj shëndet, stabilitet familjar dhe suksese të reja në jetë!

Me nderime, Prof.dr.Nusret Pllana

9 gusht 2023, Prishtinë