Dorëheqja e Presidentit të Bundesbankës – sinjal i një epoke të re

16:17 | 22 Tetor 2021

Me dorëheqjen e papritur, Presidenti i Bankës Qendrore të Gjermanisë hap rrugën për afrimin e pozicioneve me Bankën Qendrore Evropiane. Kuptimi tradicional i politikës monetare po ndryshon në Gjermani, shkruan Auron Dodi

Dorëheqja e presidentit të Bankës Qendrore të Gjermanisë, Bundesbank-ës të mërkurën (20.10.) ka tërhequr vëmendjen në Evropë. Jens Weidmann-i kryesoi për 10 vjet njërin nga institucionet historikisht më të respektuara të Gjermanisë. Në postin e tij Weidmann-i ishte një zë i fuqishëm edhe në Evropë. Si president i Bundesbank-ës, ai ishte anëtar i Këshillit të Bankës Qendrore Evropiane, me seli në Frankfurt. Atje ai ka mbrojtur me argumente pavarësinë e Bankës Qendrore Evropiane. Dhe ka kundërshtuar politikën monetare të ish-Presidentit të Bankës Qendrore Evropiane, italianit Mario Draghi. Këtu, megjithatë, suksesi i Weidmannit ishte i kufizuar.

Draghi siç dihet kombinoi blerjen masive të obligacioneve të shteteve në krizë të Eurozonës me një politikë të interesave të ulëta bankare. Kjo solli pakënaqësi të madhe në Gjermani dhe në disa vende evropianoveriore. U gjykua se Banka Qendrore Evropiane kapërceu mandatin e saj dhe se me blerjen masive të obligacioneve të shteteve në krizë, me paratë e përbashkëta të shteteve të Eurozonës, ku aktorët më të fuqishëm ekonomikë janë shtetet e Veriut,po financon jugun e Evropës; se kjo Bankë përzien politikën monetare – detyrën e mirëfilltë të saj për stabilitetin e euros, me politikën fiskale.

Largimi i Weidmannit – fund i një epoke

Është fjala për traditën e Bundesbankës në Bankën Qendrore Evropiane, traditë të cilën e mbrojti Weidmanni. Këtë detyrë të vështirë ai e nisi që në vitin 2011, kur u bë president i Bundesbankës, pasi kish qenë më parë këshilltari ekonomik i kancelares Merkel.  Sipas gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung për më shumë se një dekadë, prej themelimit në vitin 1998 deri në vitin 2011, Banka Qendrore Evropiane i mbeti besnike konceptit gjerman për misionin e saj: të ndjekë thjesht politika monetare për të stabilizuar euron. Kriza e euros, në vitet 2008/2009, bëri që kjo traditë të lëkundet. Me ardhjen në krye të Bankës të italianit Mario Draghi, Banka Qendrore nisi një kuptim amerikan të politikës monetare.

Jens Weidmann dhe Mario Draghi, 2014Jens Weidmann dhe Mario Draghi, 2014

Në se konsiston kuptimi tradicional i politikës monetare, nga Gjermania dhe disa shtete evropianoveriore? Dhe në se konsiston kuptimi amerikan dhe i shteteve kryesisht evropianojugore i politikës monetare?

Këto konsistojnë në radhë të parë në rolin e ndryshëm që palët mendojnë se u takon Bankave Qendrore.

Thelbi i mosmarrëveshjes me Bankën Qendrore Evropiane

Sipas kuptimit tradicional gjerman, Banka Qendrore duhet të ruajë pavarësinë dhe të ndërhyjë pak. Politika monetare duhet të ndahet prerë nga politika fiskale. Pra detyrë e Bankave Qendrore, edhe e Bankës Qendrore Evropiane është të merren me politikë monetare dhe me stabilitet çmimesh. Kështu e përcakton edhe ligji i bashkimit monetar. Këtë e mbrojti Weidmanni.

Ndërsa kuptimi amerikan i politikës monetare e quan artificiale ndarjen e rreptë të politikës monetare nga politika fiskale. Ky interpretim u intereson shteteve me probleme ekonomike kryesisht të jugut të Evropës, Italisë, Spanjës, por edhe Francës. Ato duan që Banka Qendrore Evropiane t’u blejë atyre me paratë e kontribuesve të Eurozonës obligacionet problematike, t’u blejë borxhet.

Dallimi i dytë në pikëpamje konsiston në masën sa duhet të tolerohet inflacioni për hir të rritjes ekonomike. Pikëpamjet tradicionale gjermane ushqehen ndër të tjera nga përvoja e hiperinflacionit, të viteve 1920.

Ndryshim pozicionesh i Gjermanisë

Por këto pikëpamje „konservatore” kohët e fundit kanë avancuar. Kjo është pasqyruar në mbështetjen e qartë të Bankës Qendrore Evropiane nga Gjermania. Në letrën e ndarjes që Jens Weidmann-i u shkroi bashkëpunëtorëve të mërkurën (20.10.) theksoi se „Mjedisi, në të cilin veprojmë, ka ndryshuar masivisht”. Vendimet monetare dhe politike pas krizës financiare, krizës së borxheve dhe pandemisë do të kenë pasoja të qëndrueshme.

Bundesbank Tag der offenen Tür

Weidmanni ka qenë dendur në minoritet në Këshillin e Bankës Qendrore Evropiane me qëndrimin e tij se blerja e borxheve të shteteve në nevojë, blerja e obligacioneve, lejohet vetëm në situata krize emergjente. Dhe se zgjerimi i blerjes së obligacioneve të shteteve, përtej kohës së krizave emergjente, e bën politikën monetare të varur nga qeveritë dhe nga tregjet.

Në këtë kuadër, Gjykata Kushtetuese Gjermane e detyroi Bankën Qendrore Evropiane të dëshmojë se në veprimet e saj kujdeset që të mos financojë shtetet me obligacione, pasi kjo nuk është detyrë e saj.

Megjithatë, kohët e fundit Weidmanni dëshmoi me një sërë veprimesh sensin realist të tij dhe të Gjermanisë ndaj zhvillimeve në Evropë.

Kështu, në emër të Bankës Qendrore të Gjermanisë, Weidmanni mbështeti Programin e Blerjes së Borxheve të Pandemisë (PEPP). Ky program përfundon në mars dhe Bankës Qendrore Evropiane i duhet të vendosë në dhjetor për fatin e programit.

Ai mbështeti edhe verifikimin strategjik për inflacionin, që miratoi në qershor të këtij viti Banka Qendrore Evropiane, sipas të cilit do të quhen të pranueshme devijimet nga objektivi 2% i inflacionit.

Pasardhësi i Weidmannit pritet më pranë Bankës Qendrore Evropiane

Në Gjermani, largimin e Weidmann-it e shpjegojnë kryesisht me lodhjen shumëvjecare në qëndrimin shpesh opozitar në Bankën Qendrore Evropiane. Në aftësitë si ekonomist ai vlerësohet me notat maksimale, në Gjermani dhe në Evropë. Por qëndrimet e tij të fundit në BQE tregojnë edhe se ai i kishte kuptuar drejt sinjalet e kohës.

Momenti i largimit të Jens Weidmann-it njëkohësisht është shenjë e një fryme të re në Gjermani. Weidmanni largohet në të njëjtën kohë me Angela Merkelin, këshilltar i së cilës ishte fillimisht. Analistë thonë se ka pak dyshim se personi që do të zgjedhë në krye të Bankës Qendrore, Bundesbankës qeveria e re gjermane e drejtuar nga socialdemokratët, do të ketë më pak rezerva për politikën e blerjes me dorë të lirë të obligacioneve të shteteve në nevojë nga Banka Qendrore Evropiane.

Si pasardhëse e mundshme e Weidmannit në post përmendet, ndër të tjera, një mbështetëse e vendosur e politikave të Bankës Qendrore: Isabel Schnabel. Schnabel  ka pak rezerva për blerjen e obligacioneve shtetërore dhe është më pak e shqetësuar për rreziqet e inflacionit. Aktualisht ajo është njëra nga gjashtë drejtorët e Bankës Qendrore Evropiane. Por zgjedhja e saj nuk është vendosur./DW