“Dorëheqja e kryetarëve të komunave me shumicë serbe, nuk e detyron Kosovën të revokojë taksën”
Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të vendosur një taksë prej 100 për qind për produktet serbe, kanë ndryshuar edhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajme
Raportet Kosovë – Serbi asnjëherë nuk ishin të qeta, mirëpo taksa vetëm sa e ka nxehur edhe më tepër situatën dhe i ka thënë një çështje tjetër për shqyrtim këtij raporti.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe erdhi si rezultat i politikës së egër dhe lobimit të Serbisë kundër Kosovës tek shtetet e ndryshme të botës, transmeton lajmi.net.
Kjo fushatë e egër e Serbisë dha rezultatet e veta kur u votua për pranimin e Kosovës në INTERPOL, e ku Kosova dështoi të bëhej anëtare.
Edhe BE nëpërmjet Përfaqësueses së Lartë, Frederica Mogherini kërkoi heqje të menjëhershme të kësaj takse, gjë që nuk ndodhi.
Pas kësaj, Policia e Kosovës arrestoi tre persona në komunën e Mitrovicës së Veriut në lidhje me vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, i cili para se të vritej, gjithnjë e më shumë kritikonte qeverinë serbe.
Të dyja veprimet i zemëruan udhëheqësit serb dhe si për hipokrizi, ata kërkuan lirimin e të arrestuarve për vrasjen e Ivanoviqit vetëm pak ditë pasi në Këshillin e Sigurimit u ankuan se nuk është bërë asgjë në drejtimin e zbulimit të rastit.
Pas kësaj, katër kryetarët e komunave të veriut, Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit, dhanë dorëheqje, e me ligj, zgjedhjet e reja lokale duhet të mbahen brenda 45 ditëve.
Mirëpo analisti politik serb, Cvijetin Milivojeviq tha se kjo mund të jetë e komplikuar, pasi nëse Prishtina kërkon zgjedhje, atëherë Beogradi mund të ndërhynte për të kërkuar zgjedhje paralele të vetat.
Edhe pse Milivojeviq e sheh si problematike dorëheqjen e kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, ai shprehet se këto dorëheqje nuk do të detyrojnë Kosovën të revokojë taksën.
Megjithatë, një ish-ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq situatën e sheh më ndryshe.
Ai shprehet se nuk do të ketë problem për furnizimin e serbëve të veriut me mallra serbe sepse ekzistojnë rrugë alternative të bëhet kjo gjë.
Si gjithashtu e krahason situatën e krijuar me mosmarrëveshjen e vitit 2011 që zgjati 58 ditë, pas së cilës Serbia pranoi pulla doganore të Kosovës dhe Kosova tërhoqi bllokadën.
Megjithatë, analisti serb, Milivojeviq tha se nuk do të befasohej nëse Beogradi kthehet për të diskutuar me Kosovën edhe pas këtyre tensioneve, e sidomos nëse Prishtina e bën ‘lëvizjen e vullnetit të mirë’ dhe e zvogëlon taksën.
Ai tha se presidenti serb, Aleksander Vuçiq së pari dëshiron të ndërtojë tensione me udhëheqësit e shtetit të Kosovës dhe pastaj të kthehet në negociata. /Lajmi.net/