Dorëheqja e Haradinajt ‘çon’ në këmbë Serbinë, Vuçiq nesër iu drejtohet qytetarëve

Pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nesër do t’iu drejtohet qytetarëve.

Lajme

19/07/2019 23:38

Dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit ka mbledhur të gjithë udhëheqësit serbë gjatë ditës së sotme.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, menjëherë pas dorëheqjes së Haradinajt është takuar me anëtarin serb të Presidencës së Bosnjës, Millorad Dodik, ministrin serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ministrin e Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq, drejtorin e të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq si dhe me sekretarin e përgjithshëm të Presidencës, Nikolla Selakoviq, transmeton lajmi.net.

Lexo edhe: 

Haradinaj merr ftesë nga Specialja, jep dorëheqje nga posti i kryeministrit

Pas këtij takimi, Vuçiq nuk u deklarua fare për medie mirëpo, ka qenë zyra për komunikim me publikun e Presidencës serbe që ka bërë të ditur se nesër me fillim prej orës 10:00, Vuçiq pritet t’iu drejtohet qytetarëve rreth dorëheqjes së Haradinajt nga posti i kryeministrit.

Siç shkruan “Tanjug.rs”, Vuçiq nesër pritet të reagojë për dorëheqjen e Haradinajt dhe implikimet e mundshme të dorëheqjes së tij, transmeton më tutje lajmi.net.

Duhet theksuar se Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit gjatë ditës së sotme pasi që ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit.

Lexo edhe: 

Pas dorëheqjes së Haradinajt, këto janë procedurat e shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme

Haradinaj letrën e dorëheqjes pritet t’ia dorëzojë presidentit Hashim Thaçi gjatë ditës së hënë.

Ndërkaq pas dorëheqjes së tij, ka pasur reagime të shumta si nga partitë në pushtet ashtu edhe nga partitë opozitare.

Këto të fundit e edhe disa parti në pushtet kanë kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe të mos krijohet qeveri teknike.

Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, pas dorëheqjes së kryeministrit, e gjithë qeveria bie.

Por, proceduralisht, pas dorëheqjes së kryeministrit, presidenti fillimisht bën konsultimet me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, për mandatimin e kandidatit të ri, për të formuar qeverinë e re.

Pas këtyre konsultimeve, presidenti e cakton mandatarin për formimin e qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit, që përbën shumicën e Kuvendit.

Lexo edhe: 

Këta janë hapat që Thaçi duhet t’i ndërmarrë pas dorëheqjes së Haradinajt

Kandidati i ri për kryeministër, jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e qeverisë së re para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Nëse ajo përbërje e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë.

Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet qeveria, atëherë presidenti i shpall zgjedhjet që duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre. /Lajmi.net/