Dorëheqja e gjyqtarit Carolan nuk e shpëton dot Isa Mustafën as VLAN-in

Ideja e bllokut opozitar LDK-AAK-Nisma dhe VV për ta kthyer situatën në favor të tyre edhe në aspektin juridik, nuk ka të ndalur. Ditë më parë, amerikani Robert Carolan dha dorëheqje nga Gjykata Kushtetuese dhe publikut kjo dorëheqja nga media të caktuara u shit si akt moral.

Lajme

16/09/2014 23:16

Kjo pastaj u mor si shkas dhe u përdor edhe nga përfaqësuesit e bllokut opozitar për ta sulmuar kredibilitetin e Gjykatës Kushtetuese.

Veprimi i gjyqtarit Carolan, siç mëson Indeksonline, nuk ka të bëjë asgjë me moralin, por me të kundërtën e tij, me të pamoralshmen.

Për gjyqtarin Robert Carolan, i cili është mik shumë i afërt i Steven Shook-ut, këshilltarit ndërkombëtar të mandatarit për kryeministër nga ana e bllokut opozitar, Ramush Haradinaj, në qarqet ndërkombëtare ka filluar të flitet se është dorëhequr në këtë fazë për të shkaktuar mungesë kuorumi në Gjykatën Kushtetuese.

“Dorëheqja e tij në këtë periudhë nuk është bërë as si akt moral, as për shkak të kontratës së re që ka marrë, sepse këto lëvizje ka mundur t’i bëjë kurdo që ka dashur, por është totalisht veprim i koordinuar dhe i orkestruar nga ana e bllokut opozitar, që Gjykatës Kushtetuese t’ia pamundësojë të shpallë kundërkushtetuese zgjedhjen e Isa Mustafës për kryetar të Kuvendit dhe të mos mund të pezullohet përkohësisht, ngase Kushtetuesja nuk do ta ketë kuorumin për të marrë vendime politike”, tha ky burim ndërkombëtar.

Sipas këtij burimi, megjithë lëvizjet e tilla të koordinuara shumë mirë ndërmjet grupeve të bllokut opozitar, si në politikë, ashtu edhe në shoqërinë civile dhe mjete të informimit, disavantazi i tyre më i madh është se nuk kanë njohës të mirë të Kushtetutës dhe se kërkesa për masë të përkohshme të pezullimit mund të pranohet dhe kjo masë mund t’i shqiptohet Mustafës përsëri nëse e përsërisin shkeljen e Kushtetutës. (Indeksonline)