Donnarumma dëshiron të qëndrojë te PSG, thotë se klubi duhet të zgjedh në mes tij dhe Navas

Përkundër një sezoni ndjeshëm nën nivelin e pritshmërive, Gianluggi Donnarumma ka shprehur dëshirën e tij për të vazhduar qëndrimin te Paris Saint Germain.

Sport

13/05/2022 08:40

Portieri që u mor nga Milani si njëri ndër transferet më të bujshme të merkatos verore, nuk ka arritur të japë më të mirën e tij brenda këtij viti.

Gjithsesi, siç thotë vetë ai, kjo nuk e pengon të vazhdojë me parisienët.

“Kam dëshirë të vazhdoj qëndrimin tim te PSG. Nuk ishte një sezon i lehtë ky që po e lëmë pas. Luajta vetëm në gjysmën e ndeshjeve dhe nuk arrita ta jap më të mirën time”, tha fillimisht ai, transmeton lajmi.net.

Italiani foli gjithashtu edhe për konkurrencën që pati gjatë këtij viti me portierin Keylor Navas për një vend titullari në formacionin e kampionëve të Francës.

24-vjeçari theksoi se kjo nuk do të vazhdojë edhe në sezonin e ardhshëm, duke thënë se klubi duhet të zgjedhë në mes të tij dhe kostarikanit.

“Jo, nuk do të jetë më kështu. Klubi duhet të bëjë zgjedhjen e tij”, përfundoi ai. /Lajmi.net/