Dollapët për libra do të vendosën në fund të muajit

Shpend Ahmeti thotë se në fund të këtij muaji do të vendosën dollapët për libra të nxënësve, nëpër të gjitha shkollat fillore të Prishtinës. 

Lajme

15/11/2014 09:43

Këta fëmijë më nuk do të bartin çantat e rënda të stërmbushura me libra, pasi që nëpër shkollat fillore të Komunës së Prishtinës, përkatësisht për fëmijët që nga klasa e parë e deri në të pestën, ka filluar vendosja e dollapëve nëpër klasa, në mënyrë që këta fëmijë t’i vendosin librat.

Sipas, kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ky është një projekt shumë i rëndësishëm ngase fëmijët do të jenë më të lirë dhe nuk do të bartin pesha të rënda.

I pari i Prishtinës, tha për KosovaPress, se deri në fund të muajit nëntor do të përfundojë vendosja e dollapëve në të gjitha shkollat fillore të Prishtinës edhe pse është një plan dinamik.

I pyetur se përse e ka marrë këtë vendim dhe se si mendon që kjo do të pritet nga fëmijët e po ashtu edhe nga drejtorët e shkollave, kryetari Ahmeti, tha se arsyeja qëndron në atë se çantat janë shumë të rënda dhe nxënësit po kanë probleme me shpinë.

Ai madje përmendi edhe rastin e vajzës së tij e cila sa herë shkon në shkollë bart me vete një çantë rreth 11 kilogram, që për të parin e Prishtinës, është shumë e rëndë.

Ndërsa, Arbërie Nagavci, drejtoreshë e arsimit në Komunën e Prishtinës, tha se vendosja e dollapëve nëpër shkolla është një nga planet të cilët edhe e kemi synuar dhe se në shumë shkolla kjo vendosje veç ka filluar.

Mirëpo, vendosja e dollapëve nëpër shkolla është pritur mirë edhe nga arsimtarët e disa shkollave të Prishtinës, madje këta të fundit këtë vendim e kanë cilësuar si vendim të qëlluar.

Hidajete Hoxha, arsimtare e klasës së pestë në shkollën “Emin Duraku”, u shpreh për KosovaPress, se dollapët janë një zgjidhje shumë e mirë sepse kanë lehtësuar çantat e nxënësve, madje siç pohoi ajo dollapët në shikim të parë duken të mirë, por se materiali i dollapëve sipas saj është shumë i dobët.

Po ashtu, edhe Age Gjonaj, arsimtare e klasës së katërt në shkollën “Pjetër Bogdani”, tha se vendosja e dollapëve e ka lehtësuar punën e fëmijëve dhe se vendimi i Komunës së Prishtinës është vendim i mirë dhe i qëlluar.

Gjonaj pohoi se çantat ishin shumë të rënda dhe se kjo gjë ka ndikuar në lëvizjet e tyre e po ashtu edhe në problemet me shtyllën kurrizore.

Ndryshe, është paraparë që deri në fund të këtij muaji të gjitha shkollat fillore në Komunën e Prishtinës, të pajisen me dollapë./Kosovapress/