Doganierët zbulojnë tri raste kontrabandimi
Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka zhvilluar tre aksione, ku janë kapur sasi e konsiderueshme e mallrave të kontrabanduara.

Lajme
Dogana e Kosovës ka ndërmarrë disa aksione dhe ka konfiskuar disa mallra të kontrabanduara.
Zyrtarët e Doganës thonë se kanë kryer 3 aksione nw tw cilat kanw konfiskuar mallra nw vlerw prej rreth 3 mijë euro.
Gjatë një patrullimi në rajonin e Mitrovicës është vërejtur një veturë e dyshimtw. Pas ndaljes, në veturë janë gjetur një sasi e konsiderueshme e alkoolit dhe e qumështit. Malli që ishte kontrabandë menjëherë është konfiskuar dhe ndaj ngasësit të veturës është shqiptuar gjobë administrative.
Rasti tjetër ku janë konfiskuara mallra të kontrabanduara ka ndodhur në magjistralen Mitrovicë-Prishtinë, në fshatin Nadakovc. Oficerët doganorë kanë vërejtur një automjet-furgon, dhe pasi ngasësi ka tentuar që të ikte duke përdorë rrugë dytësore, zyrtarët doganorë kanë arritur ta ndalojnë. Pas kontrollit, është gjetur një sasi e konsiderueshme e mallrave të kontrabanduara, kryesisht kanaqe me pije jo-alkoolike të markave të ndryshme.
Këto mallra poashtu janë konfiskuar dhe ndaj ngasësit është dërguar lënda në sektorin e kundërvajtjes doganore për procedurë të mëtutjeshme.
Ndërkaq, në pikë kalimin kufitar të Hanit të Elezit, në autobusin e linjës Shkup-Prishtinë gjatë kontrollit rutinor, janë kapur disa produkte medicinale. Personi që ka pasur në pronësi këto mallra i kishte fshehur ato nën ulësen e njërit prej udhëtarëve. Mallrat janë konfiskuar ndërsa ndaj personit në fjalë është iniciuar kundërvajtje doganore.