Doganierët kosovarë shkojnë vet në veri

Doganierët kosovarë shkojnë në pikat kufitare në veri, përkatësisht në Jarinje dhe Bërnjak pa përcjelljen e misionit të EULEX-it që nga nëntori i vitit të kaluar.

Lajme

08/04/2014 08:19

Këtë gjë e ka konfirmuar për Radio Kosovën, drejtori i përgjithshëm i doganës Lulzim Rafuna. Ai ka thënë se transporti i doganierëve kosovarë nuk ka qenë çështje e bisedimeve me Serbinë.

“Nuk është e as që do të jetë pjesë e bisedimeve, sepse kjo është çështje e jona e brendshme. Dhe kjo çështje e transportit të oficerëve doganorë na përket neve si Doganë dhe ne e kemi organizuar si në çdo pikë tjetër. Edhe mbas shkuarjes së EULEX-it nuk do të ketë pengesa që oficerët tanë të udhëtojnë në vendkalime”.

Transporti i doganierëve kosovarë në pikat kufitare në veri, më herët ishte realizuar me helikopterë nga ana e EULEX.

Drejtori i doganave, Lulzim Rafuna nuk ka dashur që të flas për ndryshimet që priten të bëhen në mandatin e misionit të EULEX.

“Mandati aktual është valid deri në qershor. Negociatat mes Kosovës, Brukselit dhe vendeve anëtare të BE-së, po vazhdojnë. Do të ishte e pamatur nga ana jonë të spekulonim para rezultatit final”, ka thënë ai për Radio Kosova.