Dodik: Republika Serbe e Bosnjës do të ndjekë politikat e Beogradit karshi Kosovës

Presidenti i Republikës Serbe në Bosnjë, Milorad Dodik, ka thënë se ai do të ndjekë politikat e Beogradit karshi Kosovës, dhe do të veprojë vetëm krahas vendimeve të autoriteteve serbe.

Lajme

04/04/2018 08:18

Këto komente Dodik i bëri në një konferencë për media pas takimit me Presidentin e Serbisë, Aleksandar  Vuçiq, ku shtoi se kjo qasje ndaj problemit të Kosovës nuk pritet të ndryshojë as në të ardhmen, transmeton lajmi.net.

Dodik theksoi gjithashtu se paketa e fundit e ndihmës dërguar për komunitetin serb në Bosnjë ishte inicuar nga Presidenti Vuçiq, duke potencuar se ai beson që integrimi i Serbisë dhe i Republikës Serbe do të jetë edhe më i theksuar në të ardhmen.

Duke falënderuar Vuçiqin për ndihmën e fundit dhënë serbëve në Bosnjë, Dodik deklaroi se ai dhe serbët e Bosnjës janë kundër çfarëdo ushtrimesh ushtarake në bashkëpunim me NATO-s, pasi që sipas tij, serbët nuk besojnë në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO).

Ai gjithashtu shtoi se arsye tjetër për refuzimin e pjesëmarrjes në këto trajnime ishte edhe informacioni se dronët e përdorur në këto manovra ushtarake, përmbajnë uranium të varfëruar, gjë për të cilën nuk ishin dakord as qytetarët serb. /Lajmi.net/