Dodik e fton Thaçin në Samitin e SEECP-së që do të mbahet në Bosnjë

Kryesuesi i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, i ka dërguar ftesë zyrtare presidentit kosovar, Hashim Thaçi.

Lajme

23/06/2019 22:00

Kryesuesi i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, i ka dërguar ftesë zyrtare presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), i cili këtë vit zhvillohet këtë vit në Bosnje dhe Hercegovinë, transmeton lajmi.net.

Siç mëson mediumi boshnjak Klix.ba, presidenti Thaçi pritet të vendosë javën e ardhshme nëse do t’i përgjigjet apo jo thirrjes së Dodikut.

Samiti do të nisë më 1 korrik, dhe raportohet se është planifikuar që ministrat dhe presidentët e vendeve të Evropës Juglindore të takohen në malin e Jahorinës dhe në ndërtesën e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës.

Siç raporton ky medium, presidentit Thaçi ftesa i është dërguar përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bosnjes, e kjo ftesë është me nënshkrimin e Dodikut.

Po ashtu përveç presidentëve, Dodik iu ka dërguar ftesë edhe të gjithë ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve të rajonit.

Kujtojmë se, presidenti Hashim Thaçi,  kishte refuzuar të merrte pjesë në konferencën e përvitshme të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Sarajevë, muajin e kaluar, për shkak se Bosnja dhe Hercegovina nuk e njeh Kosovën shtet të pavarur e sovran.

Më 24 prill, Bosnja dhe Hercegovina mori nga Sllovenia kryesinë e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në Brdo pri Kranju. Objektivat kryesore të SEECP ndër të tjera janë forcimi i sigurisë, stabilitetit, një mjedisi i mirë politik, marrëdhënieve ekonomike dhe bashkëpunimit në fushat e demokracisë dhe drejtësisë. /Lajmi.net/