Do të kërkohet masa e paraburgimit ndaj serbit që dyshohet të ketë kryere krime lufte ndaj popullatës civile

Prokuroria Speciale e Kosovës do të kërkojë masën e paraburgimit për serbin i cili dyshohet se ka kryer krime lufte kundër popullatës civile.

Lajme

09/12/2021 11:53

Kështu bënë të ditur Prokuroria Speciale nëpërmjet një komunikate për medie.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se është arrestuar një person me inicialet D.A. për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale ‘Krime lufte kundër popullatës civile’. Gjithashtu, Prokuroria Speciale, brenda afateve kohore ligjore ndaj të njëjtit do të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.

Ndërkohë që për arrestimin e serbit në pikën kufitare në Jarinje ka njoftuar Policia e Kosovës nëpërmjet raportit 24 orësh.

“PKK Jarinje. Me datë 08.12.2021 në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata, është arrestuar një mashkull serb shtetas i Serbisë me dyshimin për përfshirje ne veprën penale Krime Lufte kundër popullsisë civile. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar ne mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës. /Lajmi.net/