Do të jem prapë Kandidat për Kryeministër

Kryeministri Hashim Thaçi thotë se 17 Shkurti 2008 kurorëzoi përpjekjet e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Ai zbuloi se edhe 10 shkurti ishte opsion për shpalljen. Sot, sipas tij, Qeveria është stabile por Kuvendi ka pështjellime.

Lajme

16/02/2014 20:25

E plotësuar, 22:06

Kryeministri Hashim Thaçi, duke folur në intervistë për RTK, ka thënë se edhe në zgjedhjet e ardhshme do të jetë Kandidat për një mandat tjetër në krye të Qeverisë së Kosovës.

“Është mirë që ka shumë kandidatë. Unë jam Kryeministër dhe do të jem Kryeministër edhe pas zgjedhjeve”.

“Besoj që partia do të më japë mbështetje të plotë për të vazhduar qeverisjen edhe më ndryshe, edhe më mirë”.

“Unë jam i zyrtarizuar, unë jam Kryeministër dhe do të vazhdoj të jem Kryeministër”.

Duke folur për nismën e dy bashkëpunëtorëve të tij politikë të deridjeshëm, Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi, për të bërë parti të veten politike, Kryeministri Thaçi u shpreh se kjo nismë nuk do të ndikojë në rezultatin e përgjithshëm për PDK’në në zgjedhje.

“Unë nuk kam ndonjë koment më shumë. PDK do të jetë fituese në zgjedhjet e vitit 2014”.

“Besoj se agjendat do të jenë të përbashkëta për të punuar për të mirën e vendit.”

“Unë e vlerësoj punën edhe të z. Limaj edhe të z. Krasniqi që kanë bërë në PDK”.

“Opinioni ndryshe nuk ndikon te unë në raportet njerëzore”, tha Thaçi.

 

Qeveria është stabile, Kuvendi ka pështjellime

E plotësuar, 21:47

Duke folur rreth takimit të së premtes me Kryetarin e LDK’së, Kryeministri Thaçi la të kuptohet se nisma e AAK’së për mocion mosbesimi ka ndikuar në arritjen e marrëveshjes për të shkuar në zgjedhje në pjesën e parë të vitit.

“Qeveria e Kosovës është stabile. Parlamenti ka disa pështjellime jo të shëndetshme. Unë besoj se të gjithë në spektrin politik kosovar kanë synim veprimet e koordinuara, e jo në veprime befasuese dhe jo të diskutuara”.

“Çdo tendencë sot për ta minuar tjetrin, është minim i vetvetes”.

“Ata që mua më ftonin për padëgjueshmëri në vitin 2006 e 2007, ata që ftonin për largim nga bisedimet e Vjenës, sot ftojnë për veprime radikale. Kosovës nuk i duhet radikalizmi”.

“Viti 2014 ëshët vit eklektoral. Pas reformës, do të ulemi dhe diskutojmë për hapat tonë të mëtejshëm. Do të konsultohemi me prtnerët ndërkombëtarë. Data do të caktohet nga takimi i përbashkët.”

“8 qershori është preferencë e LDK’së. Ka edhe preference tjera. Edhe PDK ka preferncën e vet”, tha ai, por nuk pranoi të flasë për datën që e preferon partia e tij.

 

I kuptoj kritikat, por jo nga çdokush

E plotësuar, 21:37

Kryeministri Hashim Thaçi, në vijim të intervistës përt RTK, tha se i kupton kritikët e dialogut, por nuk mund t’i pranojë kritikat nga ata që, sipas tij, në vitin 1993 u kanë bërë thirrje shqiptarëve të Kosovës për pjesëmarrje në zgjedhjet e Serbisë.

“Mendoj se çështja territorial e një vendi, çështjet e mëdha, asnjëherë nuk duhet të jenë pjesë e rivalitetit politik nga brenda. Edhe unë kam qenë në opozitë në vitet 2006- 2008, por kam qenë pjesë e Ekipit të Unitetit”.

“Gjykata Kushtetuese ka thënë se e tërë marrëveshja është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës”.

“Nuk do ta sjellë nga Brukseli në Kuvendin e Kosovës asnjë dokument që nuk është në përputhje me interesat e Kosovës”.

“I kuptoj kritikat… por nuk mund të pranoj kritika nga ata që kanë propozuar nënshkrimin e autonomisë në ditën e dytë apo të tretë në Rambuje”.

Por, Thaçi nuk deshi të flasë me emra me arsyetimin se nuk dëshiron të hyjë ne emra në këto moment festive.

 

10 Shkurti ishte opsion

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se para se të vendoset për 17 shkurtin, ka qenë 10 shkurti i vitit 2008 si datë e parë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Në një intervistë për RTK’në, një ditë para se vendi t’i mbushë 6 vjet të funksionimit si shtet i pavarur, Kryeministri i Kosovës tha se 17 Shkurti 2008 kurorëzoi përpjekjet e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Ai tha se vitet 1998-2008 kanë një rëndësi të veçantë për popullin e Kosovës. Ai ka shpalosur detaje se si erdhën ngjarjet që sollën shpalljen e pavarësisë.

“Bërja e Kosovës së pavarur ka qenë një proces i gjatë dhe i vështirë, me shumë sakrifica. Për mua, të gjithë qytetarët e Kosovës, kudo që jetojnë, janë çlirimtarë”.

“Ka pasur të tillë që kanë menduar se me rënien e Milosheviqit, mund të krijohen rrethana për një union të ri të republikave, por qëndrimi i liderëve ka qenë pavarësia si opsion i vetëm”.

“Me formimin e Qeverisë së Kosovës në 2008, në tavolinën time ka qenë prioriteti i parë shpallja e pavarësisë. Çdo shtyrje më ishte e panevojshme dhe e rrezikshme”.

“Qëndrimi i Washingtonit ka qenë shumë i qartë për shpalljen e pavarësisë. Pastaj, kam shkuar në Bruksel ku jam takuar me z. Solana”.

“Në Washington kemi biseduar për datën 10 shkurt, ndërsa kur kam ardhur në Prishtinë, kemi vendosur për 17 shkurt. Data është përcaktuar më tepër se 10 ditë para se të shpallej. Në atë takim ka qenë Ambasadorja Amerikane Tina Kaidanov dhe ekipi im”.

“Ka pasur paralajmërime se serbët do të largoheshin nga Kosova sapo ta shpallnim pavarësinë. Ne i kemi informuar ata se Kosova do të jetë vend i gjithë qytetarëve të saj. Kanë qenë situateëkomplekse dhe e ndjeshme”.

“Koordinimi ynë me SHBA, BE dhe NATO ka qenë krucial që Kosova të jetë storie suksesi”.

“Atë ditë nuk ka ndodhur asnjë incident, as edhe incidenti më i vogël”.

“Ministri spanjoll ka qenë i zëshëm që pavarësia të mos shpallet më 17 shkurt”.