Do të ishte lajm i keq

Rrustem Mustafa mendon se largimi i mundshëm definitiv i Fatmir Limajt do të ishte një lajm i keq për PDK’në. Personalisht, ai thotë \"ndarja\" do të ishte shenjë jo e mirë për stabilitetin politik të PDK’së dhe më gjerë.

Lajme

23/09/2013 18:44

Rrustem Mustafën e shqetëson largimi i mundshëm-përfundimtar i bashkëpartiakut të tij, Fatmir Limaj nga Partia Demokratike e Kosovës.

Thotë se ky nuk do të ishte një lajm i mirë.

Në një bisedë për lajmi.net Komandant Remit thotë se është zor të flitet për ndarjen e mundshme Limajt nga PDK, ku ai ishte jo vetëm pjesë e themelimit por edhe e lidershipit të saj prej fillimit

“Fjalimin nuk e kam dëgjuar. Por, ngjarja, ikja e Fatmir Limajt prej rreshtave të themeluesve të PDK’së, mua më bën të ndjehem keq”.

“Nuk kam informata… Largimi i Limajt prej radhëve të PDK’së për mua personalisht është një shenjë jo e mirë. Nuk po jap vlerësime në emër të Kryesisë së PDK’së… Vlerësime mund të japë Kryetari i PDK’së dhe Nënkryetarët…”.

Rrustem Mustafa nuk dëshiron të flasë se “kush është humbës më i madh”, Limaj apo PDK, në rast të një ndarjeje mes tyre.

“Nuk po dua të flas për humbje. As të Fatmir Limajt dhe as të PDK’së. Por, po dua të them se është një shenjë jo e mirë për stabilitet politik në Partinë Demokratike të Kosovës, por do të thosha edhe me gjerë”, thotë Remi për lajmi.net.

“Unë e di që është zor që Fatmir Limaj dhe disa tjerë që ishin si lidership i PDK’së nga themelimi deri sot,  të flitet për ndarje”.

“Fatmir Limaj nëse nuk ka folur për ndarje definitive, ai synon që të punojë me njerëz në PDK. Duke e ditur se ai e njeh mirë strukturën e PDK’së, e ka pasur vështirë të shkoqet  përfundimisht nga PDK”.

“Përndryshe, nuk kam një analizë në këto momente”.

“Unë e di që nuk është lajm i mirë Fatmir Limaj të largohet nga strukturat e PDK’së”.