Do të fitoj

Isa Mustafa shprehet i bindur në fitore në raundin e dytë. Thotë se nëse qytetarët vendosin që ai të bëhet Kryeministër, Prishtinës do t’i gjendet zgjidhja.

Lajme

13/11/2013 12:39

Kanë mbetur edhe pak javë deri në mbajtjen e raundit të dytë të zgjedhjeve ndërsa kandidati për Prishtinën Isa Mustafa shprehet i bindur në fitoren e tretë radhazi.

Në një intervistë dhënë Radios Deutche Welle, Mustafa ka thënë se ka pasur tubime me qytetarët por i ka munguar kontakti me qytetarët për shkak të angazhimit edhe nëpër komunat tjera, meqë është edhe Kryetar i LDK’së.

Edhe pse ishte shprehur i bindur për fitore qysh në raundin e parë të zgjedhjeve Mustafa nuk arriti të sigurojë më shumë se 43% të elektoratit.

Ai ndiqet nga kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje Shpend Ahmeti që mori 31.58% të votave.

“Unë jam shumë i bindur që do ta marr edhe mandatin e  tretë ngase diferenca në vota është shumë  e madhe. Ne kemi  diku nëntë mijë vota më shumë se sa ka rivali im Shpend Ahmeti”.

“Kemi zhvilluar kontakte me qytetarët, sepse gjatë raundit të parë unë pak kam arritur që të jem në Prishtinë, e kam shfrytëzuar kohën që të jem në komunat e tjera”.

“Kam pasur tubime në Prishtinë, por më ka munguar kontakti i drejtpërdrejtë me qytetarët dhe shpjegimi i programit për katër vjetët e ardhshme. Shpresojmë që do ta marr mandatin e ardhshëm, mirëpo, duhet ta bëjmë punën dhe të procedojmë me balotazhin që është një akt demokratik”, ka thënë ai për DW.

Mustafa ka dhënë sqarimet edhe për kandidaturën e tij për Kryeministër.

“Në qoftë se qytetarët janë të pajtimit që unë të mbetem kryetar i Prishtinës, unë do të mbetem kryetar i Prishtinës, në qoftë se me votën e lirë qytetarët përcaktojnë që unë të bëhem kryeministër, ne do ta bëjmë zgjidhjen për Prishtinën”.

“Po ashtu kemi votën për asamble komunale që kemi rritje prej 14% krahasuar me katër vjet më parë dhe në të dy rastet shihet se ne kemi një rritje,  kemi një ecje përpara dhe unë shpresoj që në zgjedhjet nacionale ne do të jemi fuqimisht të parët dhe ne do ta formojmë qeverinë, natyrisht në koalicion me subjekte të tjera”.

“Ne  jemi më shumë që të garojmë si parti e vetme, sepse kjo është forma më e shëndoshë  dhe pastaj ne do ta matim peshën specifike të çdo subjekti politik  dhe do ta kemi shumë më lehtë që të bisedojmë për koalicione, sepse mund ta dimë saktë se kush peshon më shumë në pikëpamje të votës së qytetarëve”.

Ai gjithashtu ka folur edhe për incidentet në veri duke thënë se incidentet e tilla nuk kanë qenë të rastësishme. Sipas Mustafës, nëse do të k ishte angazhim më serioz nga Qeveria e Serbisë gjëra të tilla nuk do të ndodhnin.