Do ta shes menjëherë “Audin Q7”

Shpend Ahmeti thotë se do të bashkëpunojë me të gjitha partitë e përfaqësuar në Asamblenë Komunale të Prishtinës, por ka përjashtuar koalicionet me to.

Lajme

03/12/2013 09:02

Kryetari i ri i Prishtinës, Shpend Ahmeti, nuk do të ulet në ‘Audin Q7” me xhama të errët  të cilën e ka përdorur deri tash Isa Mustafa, i cili të dielën humbi zgjedhjet.

Ahmeti thotë në një intervistë për “Kohën Ditore” se hapi i parë i tij do të jetë shpallja e një ankandi publik për shitjen e kësaj veture.

“Kam thënë se hapi i parë do të jetë shitja e xhipit të kryetarit, i ‘Audi Q7’ në një ankand publik”.

Në përmbyllje të fushatës zgjedhore Ahmeti pati premtuar se nëse zgjidhet kryetar puna e parë e tij do të jetë shitja e kësaj makine luksoze që ka kushtuar rreth 100 mijë euro. Ai e ka quajtur turp vozitjen e Kryetarit me një makinë të tillë në kohën kur shumë qytetarë gjenden në asistencë sociale dhe mezi arrijnë të mbijetojnë.

Në këtë intervistë Ahmeti ka thënë se do të bashkëpunojë me të gjitha partitë e përfaqësuar në Asamblenë Komunale të Prishtinës, por ka përjashtuar koalicionet me to.

“Jam i hapur për bashkëpunim me secilin, por nuk po flas për koalicione dhe diskutime të tilla”.

“Do të thotë nuk kemi iniciuar një diskutim të tillë. Më shumë kemi punuar në hartimin e programit qeverisës për ato pika programore që i kemi prezantuar”.

“Ne tashmë kemi përgjegjësi para qytetarit për atë program që kemi prezantuar: Për atë kemi marrë mandate dhe ky do të jetë synimi ynë kryesor që brenda këtij mandate ta zbatojmë”.

“Por, po them se edhe natyra e koalicioneve duhet të ndryshoj. Jam kundër pazareve ku kërkohet mbështetja në këmbim të disa drejtorive”.

“Këto për neve nuk janë diskutime të cilat çojnë drejtë ndryshimit në Prishtinë. Në qoftë se të tjerët janë të interesuar të flasim për programe do të jenë të mirëseardhur”.

“Por, ka disa pika ku mund të fillojmë qysh ditën e parë, si hapja e Komunës, transaparenca të gjitha këto janë gjëra që do të mundohemi t`i bëjmë që nga fillimi”.

“Ndërsa do të fillojmë zbatimin e atyre prioriteteve që i kemi folur aq shumë gjatë fushatës, pra 12 zotimet për të cilat mendojmë se do t`i arrijmë dhe do t`i bëjmë gjatë mandatit katër vjeçar”, ka thënë Ahmeti për Kohën Ditore.