DJ Blunt dhe Real 1 e pranojnë fajësinë, akuzohen për posedim të paautorizuar të marihuanës

Të akuzuarit për posedim të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge, Edon Dedi apo i njohur me emrin artistik “Dj Blunt” dhe Ilir Zhita i njohur me emrin artistik “Real 1”, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, janë deklaruar fajtor.

ShowBiz

09/03/2021 16:40

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Besart Mustafa, të akuzuarit e kanë pranuar fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të akuzuarit kanë deklaruar se e pranojnë fajësinë, si dhe ndjejnë keqardhje për rastin që ka ndodhur, po ashtu i kanë premtuar gjykatës se nuk do të përsërisin më veprime të tilla.

Pranimin e fajësisë nga të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurori Besart Mustafa dhe më pas është aprovuar nga gjykatësi Gent Beka, me arsyetimin se pranimi ishte vullnetar, pa presion dhe se gjen mbështetje në provat që janë pjesë e shkresave të lëndës.

Shpallja e aktgjykimit në këtë çështje penale do të bëhet më 10 mars 2021, në ora 13:30.

Sipas aktakuzës, me datë 27 janar 2019, rreth orës 14:30, në lagjen “Ulpiana” tek rrethi i Fontanës në Prishtinë, njësiti Policore kanë ndaluar veturën e tipit BMW, ku e drejtonte Edon Dedi si dhe me të gjendej pasagjeri Ilir Zhita, gjatë kontrollimit nga ana e Policisë, tek i dyshuari Edon Dedi janë gjetur një sasi e substancës narkotike të llojit marihuanë, me peshë prej 10.5 gram, ndërsa tek i dyshuari Ilir Zhita po ashtu është gjetur sasi prej 3.2 gram si substancë e llojit marihuanë, të cilën sasi e kanë poseduar pa autorizim.

Me këtë të pandehurit kanë kryer veprën penale, posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge nga neni 275 par.1 të KPRK-së.