Ditët ecin- KQZ e konfirmon se Qeveria nuk e ka ndarë ende buxhetin për zgjedhjet
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke mbajtur mbledhjen e radhës. Në këtë mbledhje, anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi ka pyetur se ku ka mbetur çështja e buxhetit që do të duhej tanimë t’i ndahej KQZ-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit. “Pa buxhet s’do të mund të hyni as në kontrata kontraktuale. A është…
Lajme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke mbajtur mbledhjen e radhës.
Në këtë mbledhje, anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi ka pyetur se ku ka mbetur çështja e buxhetit që do të duhej tanimë t’i ndahej KQZ-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Pa buxhet s’do të mund të hyni as në kontrata kontraktuale. A është vonë ndarja e buxhetit tani karshi edhe këtij vendimi”, pyeti Ilir Gashi.
Kurse ushtruesi i detyrës së Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, deklaroi se ende nuk është ndarë buxheti.
KQZ-ja i është drejtuar përmes kërkesës Ministrisë së Financave dhe aktualisht nuk ka asnjë njoftim për kërkesën në fjalë.
“Në momentin që marrim një përgjigje do të kemi edhe zhvillueshmërinë e aktivitete. Pasi këto aktivitete s’do të mund të zhvillohen pa pasur ndarjen e buxhetit nga Qeveria e Kosovës. Meqenëse ende s’kemi asgjë konkrete. Veçse na është thënë kurdo që ka një vendim ju lajmërojmë”, deklaroi Buzhala.
Ndryshe kërkesa zyrtare drejtuar qeverisë ka qenë në vlerën 11.5 milionë euro.
Ndërkohë, afati i parë kritik është vetëm pak ditë larg.
Më 12 dhjetor duhet të nisë votimi me postë për votuesit jashtë Kosovës, por ende nuk dihet nëse komisioni do të ketë mundësi ta realizojë këtë pa buxhet.
Kësisoj në këtë mbledhje është bërë e ditur se Qeveria ende nuk ka ndarë asnjë cent për zgjedhjet e jashtëzakonshme./Lajmi.net/
