Ditëlindja e FSK’së
Forca e Sigurisë së Kosovës shënoi sot përvjetorin e saj. Presidentja Atifete Jahjaga u shpreh se FSK do të jetë një mekanizëm i rëndësishëm në rrugën e integrimit. Ndërsa Kryeministri Hashim Thaçi u shpreh krenar me të arriturat e FSK'së.

Lajme
Trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës parakaluan sot në Kazermen “Adem Jashari”, në prani të drejtuesve më të lartë të shtetit, në një ceremoni të organizuar me rastin e përvjetorit të themelimit të kësaj force.
Presidentja Atifete Jahjaga deklaroi se FSK do të jetë një faktor shumë i rëndësishëm në rrugën euroatlantike.
“Këtë vit, festimi i të arriturave të FSK’së ka marrë një dimension të ri dhe një trajtë konkrete të suksesit të zyrtarizuar me vendimin e NATO’s për të deklaruar arritjet e kapaciteteve të plota operacionale të FSK’së”.
“Ky është një hap i rëndësishëm në trasimin e qëndrueshmërisë tuaj dhe hapjen e perspektivës së qartë për të ardhmen e forcës së sigurisë”.
“Në integrimin tonë euroatlantik, padyshim, FSK’ja do të jetë mekanizëm i rëndësishëm i zbatimit të politikave të emergjencave dhe të sigurisë së vendit tonë dhe i angazhimit dhe kontributit të Republikës së Kosovës në misionet e përbashkëta me partnerët tanë, me të cilët ndajmë vlerat për një botë të lirë dhe në paqe”.
“ Jam e bindur se përkushtimi ynë për t’i ruajtur vlerat e idealet mbi të cilat u betuam dhe për të përforcuar dhe avancuar bashkëpunimin me aleatët tanë strategjikë, kurrë nuk do të vihet në dyshim”
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi u shpreh se të gjithë jemi krenar që FSK përmbushi kriteret operacionale të parapara nga NATO.
“FSK me profesionalizmin e saj ka arritur t’i përmbushë obligimet e parapara me udhërrëfyes dhe prandaj në korrik të këtij viti FSK na bëri të gjithëve krenarë kur arriti t’i përmbushë kapacitetet operacionale të parapara nga NATO.
“Qeveria e Republikës së Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me partnerët strategjikë dhe miqtë e Kosovës, që nga fillimi i vitit të kaluar ka filluar rishikimin e sektorit të sigurisë në Kosovë. Synim i këtij procesi është rishikimi i sektorit të sigurisë dhe dhënia e kompetencave për çdo organizatë të sigurisë karshi synimeve tona strategjike për të ardhmen.
“Në këtë proces FSK ka rolin e vet primar dhe me përgjegjësi të plotë mund t’ju them se në të ardhmen kjo forcë do të marrë rolin e vet të merituar në shërbim të mbrojtjes dhe sovranitetit të Kosovës”.