Ditë zie në Veri të Kosovës

Në katër komunat në pjesën veriore të Kosovës, sot është shpallur ditë zie. Me vendim të kryetarëve të këtyre komunave, është vendosur që e shtuna të jetë ditë zie për shkak të humbjes së jetës së pesë personave të familjes Vucinic, gjatë një aksidenti.

Lajme

12/04/2014 09:00

Kryetarët e katër komunave në Veri të Kosovës, kanë vendosur që ditën e shtunë ta shpallin ditë zie, për shkak të humbjes së jetës së pesë personave të familjes Vucinic dje në një aksident komunikacioni afër Zveqanit

Në një komunikatë të përbashkët të krerëve të këtyre komunave, aksidentin e djeshëm e kanë quajtur ngjarje tragjike për atë pjesë, raportojnë mediat serbe.

“Pas ngjarjes së djeshme tragjike që ka ndodhur në territorin e komunës së Zveqanit, me ç’rast kanë humbur jetën pesë qytetarë tonë, prej të cilëve dy engjëj të vegjël, përfaqësuesit e pushtetit lokal të komunave Leposaviq, Mitrovicë Veriore, Zveqan dhe Zubin Potok, janë dakorduar që ditën 12 prill 2014 ta shpallin ditë zie në territorin e këtyre katër komunave”.

Të premten rreth orës 9:45 tek vendi i quajtur ‘Kërshi i Savës’ në komunën e Zveqanit, gjatë një aksidenti në komunikacion kanë pësuar pesë anëtarë të familjes Vucinic, dy fëmijë të moshës 10 dhe 15 vjeç, Gojko (46), Dragica (39), dhe Snezhana Vucinic (46 vjeç).