Ditari i ish-ushtarit të UÇK-së Shefqet Sadikaj, gjithçka e dokumentuar për të mos u shtrembëruar historia

“Unë quhem Shefqet Sadikaj, i lindur më 22. 01. 1969 në fshatin Studenicë. Kosova ishte në luftë kur një ditë Xhavit Gashi më thirri në shtëpinë e tij. Aty kishin qenë edhe Ramadan Sadikaj, Beqir Sadikaj dhe më treguan se ka ardhur një urdhër për të shkuar në Shqipëri, për të sjellë armatim në Kosovë. Ata më thanë se janë lajmëruar edhe vullnetarë nga fshati jonë. Unë ju thash se edhe unë jam me ta. Ajo ditë erdhi dhe ne u nisëm për armatim më 17 korrik 1998. Kemi marrë rrugën për Shqipëri, për të sjellë armatim për të mbrojtur popullatën nga armiku barbar serb. Me grupin tonë ishin edhe vullnetarë të tjerë nga Vrella, Prigoda e Hakajt. Nga fshati jonë kemi qenë  Sylë Maksutaj, Sylë Zeqiraj, Halil Zeqiraj, Shefqet Zeqiraj, Shefqet Sadikaj, Xhavit Gashi, Arben Sadikaj dhe Haki Zeqiraj”.

Lajme

05/04/2021 19:30

Kjo është vetëm një pjesë  e veprimtarisë së Shefqet Sadikaj në UÇK, e që e ka dokumentuar në një ditar.

Sadikaj nga fshti Studenicë e Istogut kontributin e tij dhe të shokëve, gjatë luftës e ka shkrirë në shkrim, që në një formë të mbetet dëshmi e asaj që është jetuar.

Detyra e tij e parë si ushtar i UÇK-së ishte që së bashku me një grup të shkojë në Shqipëri për të marrë armatim.

“Më 20.08.1998 jemi nis për në Gllogjan ku kemi mbërri në ora 11:00. Këtu kemi pushu. Në orën 19:00 na ka rreshtu komandanti i UÇK-së, Ramush Haradinaj, dhe e ka emëru përgjegjës për grupin tonë,  ldriz Blakaj. Grupi i kishte 32 ushtarë nga Gllogjani. Për në Junik jemi nis në ora  20:30 me përcjellje të UÇK-së. Kemi udhëtuar nëpër Gllogjan, Habulloq, Sukat e Ekteshi, Dobrosh dhe Junik.  Kemi mbërri në ora 7:00 të mëngjesit të 21.08.1998- ës. në Junik qëndruar deri më 23.08.1998. Më 23.08.1998 në ora 16:00 kemi marrë rrugën për në Shqipëri. Kemi qenë 112 ushtarë, disa përcjellës dhe jemi nisur. Gjatë rrugëtimit kemi ecur 4 orë deri ne kufirin shqiptaro-shqiptar. Përgjegjës ka qenë një djalosh ng Vokshi, i cili quhej Rasim. lshte i kujdesshëm. U afruam afër kufirit , e kontrolloi mirë e mirë dhe pastaj kufirin e kaluam pa pikë problemi. Dolëm në territorin e Shqipërisë, vendi i cili quhej Ujnez.  Këtu kemi mbërri në ora 20:35. Aty kemi qëndruar deri në mëngjes, pastaj jemi nisur në ora 05:30 për në Tropojë. Prej Tropojës kemi shkuar në Bajram Curr. Më 24.08.1998 jemi vendosur në një hotel “Kosova”.  Aty kemi qëndru vetëm një natë dhe kemi shku në një fshat të Tropojës, i  cili quhet Hoxhaj. Në këtë fshat kishte magazinë të armatimit nga bëhej furnizimi i UÇK-së. Aty kemi fjetur në një shkollë te fshatit, ku kemi qëndruar deri më 03.08.1998. Me 03 jemi nisur për në Kosovë me kuaj plot armatim të ndryshëm”.

Në këta rreshta të shkruar e në dokumentime të formave tjera, Sadikaj ka shpresë se do të ruhet historia e drejtë e luftës së UÇK-së.

“Është e veçantë dhe është me i ditë rrëfimet e mia se çfarë kam bërë, ku kam qenë dhe ku kam shkuar?. Kjo ka qenë që nesër dikush me pa këtë dokument që unë kam qenë ushtar i UÇK-së dhe kjo është vepra që kam bërë unë me shokët e mi, me ushtarët tjerë të UÇK-së”, ka treguar ai për lajmi.net.

Kontributin, që tashmë përveç kujtim është edhe dëshmi, shpesh e sjell në ripërjetim.

“Është një ndjenjë shumë e mirë dhe shumë e fortë, për mua është shumë e veçantë. Kjo është thuajse histori, për mua. Është një vepër shumë e madhe. Jo që kam bërë vepra të mëdha, por kam qenë i angazhuar dhe në çdo pjesë që ka qenë nevoja, aty kam qenë, me ushtarët tonë, që i kemi pasë”, ka shtuar Sadikaj.

Derisa 22 vjet më parë kishe vendosur të lë anash gjithçka, për të ndihmuar në çlirimin e vendit, Sadikaj tani nuk e sheh vendin në gjendjen që kishte dëshiruar.

“Të them realisht, kemi prit me qenë më mirë, por nuk ka shku ashtu. Sidomos tek veteranët janë shumë të zhgënjyer sepse nuk ak ecë mirë për veterantë. Ne kemi qenë të rrezikuar, por si kam menduar, nuk është”, ka thënë ai për lajmi.net.

Përveç kësaj, ai sheh padrejtësi që komandatët e UÇK-së po gjykohen në Hagë, nën akuzat për krime lufte.

“Nuk ndihem mirë për atë punë. Ai ka luftu. Nuk mendoj që një ushtar apo një epror që merret nga Gjykata e Hagës, të merret me qëllime se ka bërë krime në Kosovë, për shqiptarë është fjala, apo diçka. Ka qenë luftë, nuk kemi pasë ku me shku jashtë vendit tonë. Këta që po merren komandantët tonë është e padrejtë. Është shumë e padrejtë. Por, fuqia e bënë të vetën. Ne nuk kemi çka”, ka deklaruar ai./Lajmi.net/