Dita që lidh dimensionet e mëdha
Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, ka thënë se në këtë ditë kujtohen të gjithë ata që morën vendime të mëdha dhe që u sakrifikuan gjeneratë pas gjenerate.

Lajme
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj me rastin e 28 Nëntorit, ka bërë homazhe pranë varrit të ish Presidentit Ibrahim Rugova si dhe shtatores së Heroit të Kombit, Zahir Pajaziti.
Siç raporton Kosovapress, Haradinaj ka thënë se në këtë ditë kujtohen të gjithë ata që morën vendime të mëdha dhe që u sakrifikuan gjeneratë pas gjenerate.
“E kemi nisur qindvjeçarin e dytë si shtet i pavarur shqiptar me Shqipërinë, Kosova është e pavarur”.
“Më 28 Nëntor i kujtojmë gjithë ato ditë të mëdha, gjithë ato vendime të mëdha, sakrificën e madhe që e kanë bërë të gjithë e me këtë rast nderuam edhe te varri i Presidentit Rugova, nderuam te varri i Heroit Kombëtar, Zahir Pajaziti, do të nderojmë në Gllogjan, në Prekaz. Është një ditë që lidh të gjitha ato dimensione të mëdha të shqiptarëve për vete si komb i lirë”, ka thënë Haradinaj.
I pyetur nëse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të prish koalicionin me Lidhjen Demokratike të Kosovës nëpër komuna, Haradinaj nuk ka dashur të flasë.