Dita Ndërkombëtare e Tolerancës, Kosova pa aktivitete

Sot është Dita Ndërkombëtare e Tolerancës, e vendosur me Deklaratën e Kombeve të Bashkuara më 16 nëntor të vitit 1995 në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s. 

Lajme

16/11/2014 09:41

Sipas Deklaratës së Kombeve të Bashkuara, toleranca është pranimi i faktit se “qeniet njerëzore janë natyrshëm të ndryshëm për nga pamja, pozita, të folurit, sjelljet dhe vlerat, kanë të drejtë të jetojnë dhe të jenë ashtu siç janë”.

Në Kosovë nuk ka ndonjë informacion për shënimin e kësaj dite, pavarësisht se të gjithë flasin për nevojën e tolerancës, si një standard i demokracisë.

Toleranca vlerësohet se është themeli i respektit të ndërsjellë ndërmjet individëve e bashkësive dhe është bazë për ndërtimin e një shoqërie globale të vetme, me vlera të përbashkëta.

Në këtë ditë, gjithmonë i bëhet thirrje njerëzimit t’i japë dorën të afërmit e t’i shohë ndryshimet ndërmjet popujve e njerëzve, jo si pengesa të pakapërcyeshme, por si mundësi dialogu e mirëkuptimi.

Toleranca, është e nevojshme veçanërisht në vigjilencën kundër politikave të polarizimit të shoqërisë, në një epokë ku stereotipat, injoranca dhe smira shkaktojnë ndarje e përçarje.

Toleranca është përkufizuar si një qëndrim miqësor dhe i paanshëm ndaj opinioneve dhe praktikave të panjohura ose ndaj personave që i mbajnë apo i praktikojnë ato, raporton KosovaPress.