Dita e vendimit për Limajn
Gjykata vendos sot nëse ish Komandanti i UÇK’së, Fatmir Limaj, dhe nëntë ish luftëtarët e tij, janë fajtorë ose jo për veprat për të cilat akuzohen nga Prokurori Salustro. Avokatët thonë se presin lirimin e tyre, nëse respektohet drejtësia.
Lajme
Aktvendimi për Rastin “Kleçka” pritet të shpallet sot nga Gjykata Themelore.
Ish Komandanti i UÇK’së, Fatmir Limaj, dhe nëntë ish luftëtarët e tij, të cilët akuzohen nga Prokurori Mairizio Salustro, do ta kuptojnë sot në orën 14:00, nëse do të jenë të lirë ose jo.
Avokatët mbrojtës vlerësojnë se nëse do të respektohet drejtësia, atëherë do të jetë vetëm një aktgjykim: ai lirues për Fatmir Limajn dhe të tjerët. Derisa, ekspertë ligjor thonë se duke parë lëndën dhe provat e paraqitura, për të akuzuarit e rastit “Kleçka” do të duhej të vinte vetëm aktgjykimi lirues.
Avokati Tomë Gashi thotë se nuk ka asnjë provë me të cilën do të mund të shpallej fajtor Fatmir Limaj me bashkëluftëtarët e tij.
Sot, kur Gjykata merr vendimin, ai pret lirimin e tyre – nëse veprohet sipas drejtësisë dhe nëse s’ka motive politike.
Gashi ka deklaruar për lajmi.net se nuk ka asnjë provë me të cilën do të mund të shpallej fajtor Limaj dhe bashkëluftëtarët e tij.
“Nëse veprohet sipas dispozitave ligjore dhe sipas drejtësisë, atëherë ne nesër presim vetëm një vendim të Gjykatës: Aktgjykim lirues ndaj Limajt e të tjerëve”.
“Frika e vetme e mbrojtjes mund të jetë nëse Gjykata sjell Aktgjykim për arsye të tjera, ashtu siç ka deklaruar Limaj në fjalën e tij përmbyllëse, duke thënë se ai nuk dëshiron që politika të involvohet në këtë çështje. Nëse do të kemi një Aktgjykim politikisht të motivuar, atëherë Aktgjykimi do të jetë në kundërshtim me pritjen time si avokati i Limajt dhe në kundërshtim me ligjin dhe drejtësinë.”
Seanca vendimtare, në të cilin Gjykata do të marrë vendimin për rastin “Kleçka”, mbahet sot në orën 14:00, në ambientet e Kinemasë ABC 1, te Qafa në Prishtinë.