Dita e pestë e Ivanoviqit në grevë urie, i rëndohet gjendja

Lideri i Iniciativës Qytetare Serbe, Oliver Ivanoviq, ka hyrë në ditën e pestë të grevës së urisë, të cilën ai e ka filluar pas vendimit të Gjykatës Themelore për vazhdimin e paraburgimit të tij edhe për gjashtë muaj.

Lajme

11/08/2015 17:30

Gruaja e tij, Milena Popoviq Ivanoviq, për Tanjug ka thënë se gjendja e tij po rëndohet dita ditës, transmeton Indeksonline.

“Ai po humb peshë, për çdo ditë është më i dobët, por me mbështetjen që ai po merr po mbahet i fortë dhe po e vazhdon grevën e urisë në mënyrë që të luftoj për të drejtat e tij”, ka thënë Popoviq Ivanoviq.

Ivanoviq grevën e urisë e ka filluar më 7 Gusht, me kërkesën që t’i mundësohet që procesi i tij gjyqësor të zhvillohet nga një panel ndërkombëtar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Ivanoviq është marrë nën arrest më 27 Janar të vitit të kaluar nën akuzat për krime lufte në Kosovë, duke shkelur konventat ndërkombëtare të luftës, për vrasjen e personave në baza nacionale, si dhe për ushtrim torture. /Indeksonline/