Dita e ndeshjes, Kosova kërkon fitore ndaj Çekisë

Kosova sot do të luajë ndeshjen më të rëndësishme në histori të saj, atë ndaj Çekisë.

Sport

14/11/2019 08:03

“Dardanët” kanë udhëtuar në Çeki për tri pikë dhe këtë e konfirmuan edhe Valon Berisha e Bernard Challandes, në konferencën zyrtare për media, të mbajtur gjatë ditës së djeshme.

Stadiumi i Viktoria Plzen “Doosan Arena” do të jetë arena ku të besuarit e Challandes do të kërkojnë fitore për të mbajtur gjallë shpresat për një kualifikim historik të Kosovës në Kampionatin Evropian “Euro 2020”.

Ndeshja e parë mes Kosovës dhe Çekisë e zhvilluar në Prishtinë kishte përfunduar me fitoren e Kosovës me rezultat 2:1.

Gjyqtari kryesor i këtij dueli do të jetë italiani Rochi, i cili njihet si arbitër shumë autoritativ.

Tek të dyja kombëtaret do të mungojmë sulmuesit qendrorë. Vedat Muriqi në anën e Kosovës ndërsa tek çekët do të mungojë Patrick Schick.

Përpos Muriqit sipas të gjitha gjasave, tek Kosova pritet të mungojë edhe Herolind Shala, edhe pse thuhet se vetë lojtari ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar bashkëlojtarët e tij.

Kosova renditet e treta në grup me një pikë më pak se Çekia e cila renditet e dyta. Ndërkohë që lider i grupit është Anglia.

Ndeshja mes Çekisë dhe Kosovës fillon nga ora 20:45.

Kujtojmë që pas tre ditësh, Kosova do ta presë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë kombëtaren e Anglisë. /Lajmi.net/