Dita e katërt e reciprocitetit, serbët vazhdojnë të mbajnë të bllokuar veriun

Katër ditë që kur Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia, serbët lokalë kanë bllokuar rrugët që çojnë në pikë kalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak në veri të Kosovës.

Lajme

23/09/2021 07:48

Njësitë speciale të Policisë së Kosovës janë vendosur në këto dy lokacione, derisa dy shtetet shkëmbyen akuza e kundër akuza pas këtyre zhvillimeve.

Pavarësisht se situata ka qenë e qetë, shfaqja e xhandarmërisë serbe në afërsi të territorit të Kosovës ka ngritur shqetësime.

Në afërsi të Jarinjës, në territorin e Serbisë xhandarmëria serbe është vendosur në disa pika të larta duke vrojtuar njësitet e Policisë së Kosovës.

Edhe njësitet speciale të Policisë së Kosovës janë treguar mjaft vigjilente, duke vëzhguar lëvizjet e xhandarmërisë por që nuk është shënuar ndonjë incident.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë ditës së djeshme e ka quajtur vendim të duhur reciprocitetin për targa, duke i u bërë thirrje serbëve në veri që të zhbllokojnë rrugët dhe të mundësojnë qarkullimin e lirë.

Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se situata duhet të kthehet si ishte më 20 shtator e më pas mund të vazhdojnë bisedimet.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të ulin tensionet pas vendosjes së reciprocitetit të targave nga Qeveria e Kosovës të hënën.

Përmes një deklarate për shtyp, zyra e Borrell ka kërkuar shmangien e çfarëdo lloj provokimi të mundshëm pas ngritjes së tensioneve në veri të Kosovës.