Dita e gjykimit

Shkruan: Blerim Shala

Opinion

26/09/2019 09:06

Politika kosovare në tërësinë e saj, do të duhej të ndryshonte shumë, nëse duam që t’ia kthejmë shpresën qytetarëve të këtij vendi.

Vullneti politik i qytetarëve të Kosovës, sikurse në çdo demokraci tjetër, në mënyrën më të qartë të mundshme shprehet dhe shfaqet vetëm një herë në disa vjet, kur të mbahen zgjedhjet e lira.

Në këto ditët e mbetura para ditës së zgjedhjeve, me 6 tetor, ky vullnet është tërësisht anonim, i panjohur.

Natyrisht, në forma të ndryshme, vullneti politik i qytetarëve të Kosovës del në sipërfaqe, pjesërisht, edhe jashtë asaj ‘ditës së gjykimit’ (të politikanëve nga ana e tyre, në ditën e zgjedhjeve pra).

Vullneti i tillë, ta zëmë, ka marrë edhe identitetin gjithnjë e më evident, dhe përherë e më shqetësues, në trajtë të gatishmërisë së mijëra qytetarëve të këtij vendi, që së bashku me familjet e tyre ta braktisin Kosovën dhe të shkojnë të jetojnë në Perëndim.

Dikush mund të thotë që kjo dukuri ka mbërri në Kosovë më së voni, krahasuar me të gjitha shtetet tjera post-komuniste, dhe të pas-luftës (në shtetet e dala pas vetë-shkatërrimit të ish-Jugosllavisë). Madje, edhe në shtetet që janë bërë pjesë e BE-së, fenomeni i largimit dhe i vendosjes në shtetet më të zhvilluara evropiane, njeh miliona veta. Një shtet i tërë, apo, njëzet milionë qytetarë të ish-kampit komunist lindor, që janë qëmoti shtete anëtare të BE-së, kanë shkuar në Gjermani, në Francë, Holandë, Suedi, etj.

Megjithatë, në rastin e Kosovës, edhe pse është e vërtetë që ne më së voni jemi goditur nga ky zhvillim, më së vështiri përjetohet kjo dukuri, sepse ne si popull dhe si shtet, kemi mbërri atje ku asnjëherë nuk kemi qenë në histori: jemi çliruar nga Serbia, dhe jemi bërë shtet.

Kemi menduar, njëherë në vitin 1999-të, (kur u bëmë të lirë), e pastaj në vitin 2008-të (kur u bëmë shtet), që nuk ka kush të na ndalë, për tu bërë një vend dhe shtet me të gjitha të mirat e kësaj Bote.

Nuk e kemi ditur, natyrisht, që ne mund ta ndalim veten, në përmbushjen e këtij synimi, që ka qenë dhe që sot e kësaj dite mbetet i mundshëm, realist.

Tema e largimit apo edhe ikjes së qytetarëve të Kosovës, e cila për dallim prej vitit 2014-të (kur ishte një mësymje ‘epidemike’ për të gjetë një strehim qoftë edhe të përkohshëm në Evropë), është e llogaritur dhe e planifikuar mirë, duke i respektuar të gjitha procedurat legale, për herë të parë kësaj radhe, në këto zgjedhje, është bërë njëra prej pesë-gjashtë çështjeve më të rëndësishme në fushatën parazgjedhore.

Edhe në variantin më të mirë të mundshëm, nëse njëmend do të jetësohen premtimet më joreale të mundshme për zhvillimin ekonomik, punësimin, mirëqenien sociale, zvogëlimin e korrupsionit, të cilat në ditët e ardhshme do të përjetojnë një inflacion të paparë në paraqitjet e liderëve dhe të partive tona politike, do të jetë e pamundur që të ndalet tërësisht udha e shqiptarëve të Kosovës kah Perëndimi. Gjithmonë do të ketë qytetarë të këtij vendi që me të drejtë, do të kërkojnë një jetë më të mirë për vete dhe për familjet e tyre në Gjermani, Zvicër, kudo në Evropë.

Në anën tjetër, duket që politikanët tonë nuk kanë kuptuar që nuk janë vetëm motivet e mirëfillta sociale dhe ekonomike, që kanë shtyrë shumë familje kosovare ta braktisin vendin e tyre. Në mesin e tyre, ka familje me disa të punësuar, të cilët janë larg rrezikut për mbijetesë. Pastaj, këto familje nuk duan të shkojnë në Perëndim për të fituar më shumë, dhe pastaj, për tu kthyer në Kosovë. Ato duan që të jetojnë në Perëndim.

Kjo bindje nuk është krijuar tek këta qytetarë brenda natës. Madje, as brenda disa viteve.

Ajo është pasojë, mbi të gjitha, e dëshpërimit kolektiv në qytetarëve me Kosovës me gjithë rrëmujën, degradimin dhe çorodinë që ka karakterizuar (dhe karakterizon sot e kësaj dite), politikën kosovare.

Zatën, ky është edhe shkaktari kryesor që as gjysma e qytetarëve të Kosovës me të drejtë vote (që jetojnë këtu), nuk marrin pjesë në zgjedhje. Ata mendojnë që është e kotë të votohet, se asgjë nuk do të ndryshojë në jetën e tyre dhe të familjeve të tyre.

Politika kosovare në tërësinë e saj, do të duhej të ndryshonte shumë, nëse duam që t’ia kthejmë shpresën qytetarëve të këtij vendi.

Shenja të tilla nuk ka.

(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)