Dita botërore e librit, leximi bën mirë për trupin e shpirtin

Dita botërore e librit shënohet pikërisht sot.

Bota

23/04/2019 11:34

Leximi është gjimnastikë për trurin, na mban të rinj dhe lufton stresin: me rastin e ditës botërore të librit, që shënohet pikërisht sot; ekspertët kanë disa këshilla. Nëse janë të shtypur apo elektronikë, kjo pak rëndësi ka; librat mund të jenë me të vërtetë miqtë tanë më të mirë.

Një lexim i mirë është një mënyrë e shëndetshme dhe frytdhënëse për të kaluar kohën, na hap horizonte të reja, na bën të zbulojmë gjëra të reja dhe stimulon kuriozitetin tonë. Një libër i mirë është një shok udhëtimi që nuk na lë kurrë vetëm dhe nuk na lë në baltë në momentet më të bukura, por që na bën të jetojmë një jetë paralele duke bërë madje edhe të harrojmë të tashmen, atëherë kur duhet, të paktën për pak kohë, transmeton “Top Channel”.

Të lexosh, nuk është vetëm argëtim apo një kalim kohe instruktiv, por ka edhe të mira të tjera për trupin dhe mendjen tonë. Një roman i bukur, sipas ekspertëve, është në gjendje të tërheqë tërësisht vëmendjen tonë, duke e larguar nga shqetësimet e përditshme. Leximi është një ushtrim i shkëlqyer mendor, i nevojshëm për të na mbajtur të rinj dhe shërben si stimulues i trurit.

Leximi stërvit memorien, na detyron të mbajmë mend një numër personazhesh. Është ekzaktësisht lloji i ushtrimit që rekomandojnë ekspertët  e universitetit Stanford për të parandaluar sëmundje degjenerative si Alzheimer. Po ashtu, leximi stimulon vëmendjen dhe përqendrimin. Leximi i një libri është një mënyrë për tu kujdesur për veten, një terapi që lehtëson edhe shqetësimet më të zakonshme të humorit. Librat na mësojnë gjëra të reja dhe na mësojnë gjuhët, duke filluar nga gjuha jonë.