Diplomatët e huaj të pa mbrojtur nga institucionet e Kosovës

Në seancën e së enjtes të Kuvendit, ku u hodh gaz lotsjellës, përpos deputetëve dhe gazetarëve, ishte i pranishëm edhe stafi diplomatik i akredituar në Kosovë. Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se siguria e stafit diplomatik duhet të jetë në nivel më të lartë, duke kritikuar kështu drejtuesit e institucioneve vendore për dështimin në ofrimin e sigurisë.

Lajme

10/10/2015 08:40

Kuvendi i Kosovës në seancën e së enjtes, ku u hodh gazi lotsjellës nga deputeti i “Vetëvendosjes” Albin Kurti, dështoi të ofrojë sigurinë e nevojshme jo vetëm për deputetët dhe gazetarët, por edhe për stafin e akredituar diplomatik në vend.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) nëpërmjet një komunikate për shtyp, të enjten, ka theksuar se “sjellja e tmerrshme e anëtarëve të caktuar të Kuvendit nga radhët e opozitës, e cila çoi te kërkimi i kujdesit mjekësor për anëtarët tjerë të Kuvendit, si dhe për vëzhguesit ndërkombëtarë, përfshirë personelin nga Ambasada e ShBA-ve”.

Zyrtarët e kësaj Ambasade kanë konfirmuar të premten për gazetën “Zëri” se siguria e punonjësve është prioritet i tyre. “Gjersa siguria e punonjësve të Ambasadës është prioriteti yni, ne nuk komentojmë mbi procedurat e sigurisë. Jemi të pikëlluar që dhuna e së enjtes në Kuvendin e Kosovës ka nxitur mediumet ta bëjnë këtë pyetje”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës për gazetën./Zëri/