Diplomat false të 93 arsimtarëve të Malishevës që u “fshehën”

I mësojnë nxënësit, por për këtë punë nuk janë të përgatitur. Afër 10 për qind e mësimdhënësve në komunën e Malishevës u ‘shesin’ mend nxënësve edhe pse në këtë pozitë kanë ardhur falë diplomave false.

Lajme

09/02/2015 20:54

Burime të Gazetës Tribuna bëjnë të ditur se Njësia për Krime Ekonomike në Pejë, në vitin 2009 kishte ngritur kallëzim penal ndaj 93 mësimdhënësve të kësaj komune nën dyshimin për falsifikimin e diplomave universitare.

Por, drejtësia për këtë rast është vënë asnjëherë pasi Gjykata në Pejë ka ‘amnistuar’ të gjithë këta mësimdhënës duke parashkruar lëndën për ndjekje penale ndaj mësimdhënësve.

Kjo ka ardhur si pasojë e vonesës së shqyrtimit të këtij kallëzimi penal nga ana e gjykatës.

Kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Vaton Dërguti ka konfirmuar se kjo lëndë është parashkruar nga kjo gjykatë, me çka është pamundësuar gjykimi i rastit.

Ai ka thënë se nuk i di arsyet e mos shqyrtimit të kësaj lënde më herët, pasi që në krye të kësaj gjykate ka ardhur në vitin 2013.

“Në vitin 2013 është bërë ristrukturimi i Gjykatës. deri në këtë periudhë kjo lëndë ka qenë në Gjykatën komunale, ndërkaq pas kësaj periudhë ka kaluar në departamentin për krime të rënda”, ka thënë Dërguti.

Edhe drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Malishevës, Blerim Thaçi ka konfirmuar për Tribuna se Gjykata në Gjakovë nuk ka gjykuar rastet e dyshuara për falsifikim të diplomave nga ana e mësimdhënësve.

“Ka ardhur një aktvendim prej gjykatës nëpërmes Ministrisë së Arsimit. Janë 84 mësimdhënës që u është parashkrua lënda për ndjekje penale ndaj tyre”,

Thaçi ka thënë se kjo komunë nuk mund të veprojë pa ndonjë vendim paraprak nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Gjykatës.

“Pa na ardhur ndonjë vendim nga Ministria e Arsimit apo Gjykata ne nuk mund të  veprojmë”, ka deklaruar Thaçi.

Ai ka konfirmuar se janë edhe dy raste tjera duke u hetuar nga gjykata për falsifikim të diplomave nga ana e mësimdhënësve.

“Gjykata ende është duke i ndjek procedurat ndaj dy personave dhe pa u kryer gjykimi ndaj tyre ne nuk mundemi me marr masa”, ka thënë Thaçi.

Në anën tjetër, në Ministrinë e Arsimit thonë se nuk kanë pranuar asnjë vendim të gjykatës lidhur me mësimdhënësit e Malishevës, pavarësisht se në këtë komunë thonë se ata kanë pranuar një vendim të tillë përmes kësaj ministrie.

Azem Guri, këshilltar i ministrit të Arsimit, ka thënë se Inspektorati i arsimit do të shqyrtojë të gjitha rastet e dyshuara për falsifikim, duke mohuar të kenë marrë ndonjë vendim nga ana e gjykatës.

“Inspektorati i arsimit do të shqyrtojë këto raste dhe nëse hetohen këto pretendime, atëherë do të marrim masa”, ka thënë Guri.

Sipas tij, në rast se konfirmohet se ka mësimdhënës me diploma false, atëherë përgjegjëse për një gjë të tillë është Komuna e Malishevës.

“Para se të pranohet ndonjë mësimdhënës në punë të gjithë dokumentacionin është i obliguar ta verifikojë Drejtoria Komunale e Arsimit”, ka thënë Guri për gazetën Tribuna.