DioGuardi: Mos lejoni të shkojë huq shtet-ndërtimi në Kosovë

Ish-kongresisti Joe DioGuardi ka vite që nuk ka takuar ndonjërin nga politikanët shqiptarë, të paktën për të pirë një kafe, por me anë të një letre i ka kritikuar ashpër ata, veçmas në Kosovë, por edhe Shqipëri.

Lajme

05/02/2015 22:39

Ish-kongresisti dhe kryetari i LQSHA-së në SHBA i ka pritur me shqetësim të madh lëvizjet dhe ecuritë e rënda politike dhe ekonomike të shqiptarëve në Ballkan, sidomos ato të fundit në Kosovë.

Përmes një letre dërguar veprimtarëve dhe asociacioneve kombëtare shqiptaro-amerikane me të cilat ka bashkëpunim, DioGuardi ka nënvizuar se investimi i madh politik, diplomatik dhe ushtarak qe është bërë për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e shtetit të Kosovës nga Amerika mike dhe miqtë e saj në Evropë, nuk e ka merituar që tashti të ballafaqohemi me gjendjen e rëndë politike dhe ekonomike, njofton agjencia INA.

“Dihet se shtet-ndërtimi nuk bëhet aq lehtë, por klasa politike shqiptare në Kosovë me tërë mekanizmat e saj ligjor (kushtetues) duhet të bëjë vijat e qarta për kahet e reja demokratike dhe të ecurive të zhvillimit ekonomik të Kosovës, ndonëse dihen tashmë resurset e saja të pasura të nëntokës dhe të faktorit më të ri njerëzor shqiptar në Evropë”, thuhet në reagimin e tij.

Duke komentuar ikjen masive të shqiptarëve nga Kosova, Dioguardi nënvizon se Qeveria e Kosovës është e vonuar dhe se ajo është dashur që në këtë drejtim të punojë me projekte konkrete për të zhvilluar resurse të caktuara që do të rrisnin punësimin, konkurrencën, zhvillimin e biznesit privat si dhe forcimin e arsimimit.

Ai shprehet i shqetësuar se përse klasa politike në Shqipëri, Kosovë dhe trevat tjera i ka kthyer shpinën LQSHA-së , e cila në programin e saj ka projekte dhe kahe konkrete të zhvillimit të këtij rajoni të banuar me shqiptarët.

“Të gjitha këto çështje LQSHA i ka në programin e saj si asociacion lobues për çështjen shqiptare, por ka vite që nuk kam takuar njeri nga politikanët shqiptarë, të paktën për të pirë një kafe”, ka nënvizuar DioGuardi. Por, ai shton se përderisa do t’i rrahë zemra dhe t’i qarkullojë gjaku shqiptar, ai do të jetë në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare në Ballkan.

“E kam thënë dhe po e përsëris se çështja shqiptare ende nuk është zgjidhur drejt në hapësirën e Ballkanit të trazuar, ku shqiptarët me shekuj kanë qenë në kandarin e pazareve politike të kohës. Duhet afirmuar vlerat tona si komb dhe jo të jemi në skemën e problemeve, ku të tjerët na konsiderojnë si fajtor kujdestar në rajon”, ka shkruar  DioGuardi. (INA)