“Dimë vetëm deklaratat dhe shumat e parave që janë dalë në media: Kërkojmë llogari për këto donacione”
Janë disa shuma që kanë dalë në media të cilat i kemi postuar që të gjitha në tiranapost.al si lajmet e donacioneve për të prekurit nga tërmeti nga miliarderë shqiptarë. Janë biznesmenë, që dikush mund të jetë oligark e një tjetër thjesht një biznesmen.
Lajme
Pa dashur të etiketojmë e të ushqejmë urrejtje për te pasurit, na jepet e drejta të kërkojmë llogari e sidomos transparencë për donacionet e tyre, në mënyrë që të gjithë të jemi të saktë me informacionet dhe të flemë të qetë në darkë (nëse do na lërë Adriatiku).
Ka një fakt që përveç shumave që kalojnë në portalin e-albania që është lehtësisht i deshifrueshëm, pjesa tjetër mbetet një donacion në eter i veshur me jo pak skepticizëm për dhurimet e miliarderëve shqiptarë. Do më vinte turp nga vetja të dyshoj se mund të ketë njerëz të pasur që të bëjnë hilera me fatkeqësinë e shqiptarëve, që i kanë klientët më të mirë të tyre dhe që mbahen në këmbë nga shpenzimet e këtyre njerëzve. Do ishte buke e shkelur dhe çmendurisht e pabesueshme, ndaj dyshimeve u duhet dhënë fund.
E vërteta dhe transparenca do t’i nderonte të gjithë sot, ndaj lipset bërja publike e mënyrës, adresës dhe formës së dhurimit.
Deri më tani dimë vetëm publikimin dhe deklaratat për dhurim të shumave, por kjo gjë kërkon fakt/provë në mënyrë që të shmangim jo vetëm ‘fake news’ në ditë si këto, por sidomos edhe propagandë nga ana e biznesmenëve të pasur që duhet të jenë të parët që të këmbëngulin për të bërë transparente transfertat dhe deri shpenzimin në qindarkën e fundit.
Tiranapost.al do të pyesë çdo ditë pa ndërprerje për të mësuar rreth këtyre donacioneve. Për momentin dimë vetëm deklaratat dhe shumat si më poshtë. Vetëm se ka një problem nuk dimë ku të pyesim? E nisim me një pyetje publike: Ku po i japin shumat?
Biznesmenët:
Behgjet Pacolli – dhuroi 1 milion euro
Grupi Balfin (Samir Mane) – dhuroi 1.2 milionë euro + ndihma me mjetet e nevojshme dhe bazën ushqimore
Gener 2 (Bashkim Mulaj) – mori përsipër të ndërtojë 20 apartamente, në zonën e Thumanës.
Pëllumb Salillari – dhuroi 1 milion dollarë
Shefqet Kastrati – dhuroi 1.5 milionë euro
Bankers Petroleum – dhuroi 1 milion dollarë.