Dimal Basha thotë se Fitore Pacolli s’flet me dajën dhe se në Ministri të Bujqësisë nuk vidhet më: Do të fitojmë me mbi 50%

“Kur t’bëhet ministër dikush, zëvendësministër, deputet, kryeministër a drejtor, çkado që të bëhet, ose edhe në komunë nesër pasnesër, duhet me u bo veç ai person- jo me shku me krejt fisin aty. Fisi është për dasëm, për gazmend familjar…”-Këto ishin fjalët e shefit të tanishëm të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti në fushatën e…

Lajme

07/12/2024 19:34

“Kur t’bëhet ministër dikush, zëvendësministër, deputet, kryeministër a drejtor, çkado që të bëhet, ose edhe në komunë nesër pasnesër, duhet me u bo veç ai person- jo me shku me krejt fisin aty. Fisi është për dasëm, për gazmend familjar…”-Këto ishin fjalët e shefit të tanishëm të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti në fushatën e fundit të zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë.

Megjithatë duket që koha në krye të vendit e mbase edhe obligimet e shumta e kanë bërë liderin e vendit të harrojë zotimin e tij.

Javët e fundit u raportuan raste të shumta të dhënies së granteve, e fitimit të tenderëve në drejtim të familjarëve të disa prej emrave partiakë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Jo gjithë fisit, por vëllait e dajës së deputetes së Fitore Pacolli, nga Ministria e Bujqësisë iu ndan grante në vlerën prej 100 mijë eurosh.

Ky rast ka nxitur debat të madh publik dhe kritikë ndaj Vetëvendosjes, duke vënë në qendër të vëmendjes rolin e deputetes Fitore Pacolli edhe si kryetare e Komisionit për Bujqësi në Kuvend.

Por që gjithë këtë e ka “normalizuar“ deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha.

Sipas Bashës, Pacolli me dajën e vet nuk flasin, nuk kanë komunikim fare. Madje jo Pacolli, por Basha vendosi të zgjerojë e ta bëjë publike se si qëndrojnë marrëdhëniet familjare në mes dyshes.

Kjo gjendje sipas tij rrjedh prej disa vitesh më herët, që kur Fitore Pacolli ishte në kabinet të ish-kryetarit të Prishtinës, atëkohë deputet të VV-së, Shpend Ahmeti.

Ai arsyeton se ndër objektet e para jo të ligjshme të rrëzuara në kryeqytet ishte ai i dajës së Pacollit, e që kjo e fundit paska qenë në dijeni, por që nuk ka ndërmarrë masa në ndihmë të tij.

Kjo ka shtyrë në një përplasje, e cila ka përfunduar në mungesë komunikimi mes tyre.

“Kom fol me Fitoren edhe për këtë pjesë, Fitorja nuk komunikon, nuk fol me dajën e vet. Në kohën sa Fitorja ka qenë shefe e kabinetit të Shpend Ahmetit, objekti i parë që e kanë rrënu (pa leje), paska qenë i dajës së Fitores. E ka thirrë, kjo i ka thënë nëse është e kundërligjshme nuk kam çka boj. Prej atëherë nuk kanë fol kurrë. Bile në një medium kur e thirrin për intervistë ai thotë :…mos m thirrni se ajo kur mu ka desht më së shumti nuk më ka ndihmu mu”, u shpreh Basha.

E sipas tij, në ministrinë e Faton Pecit çdo gjë shkon me meritokraci.

“Qytetarët e kanë fitu mendimin se aty shkon me meritokraci, përmes meritës, nuk vjedhet më. Rrjedhimisht, ministri mundet me fol për këtë pjesë”, tha ai.

Tutje në një përgjigje për lajmi.net, deputeti Basha ka thënë se për çdo paqartësi tjetër sa i përket ndarjes së granteve, ministri ka qenë bukur i qartë dhe i ka sqaru të gjitha paqartësitë.

Në pyetjen e drejtuar nga redaksia e lajmi.net se cilat janë pritshmëritë e tij rreth rezultatit që LVV-ja do ta marrë në zgjedhjet e ardhshme, deputeti u shpreh se bazuar në punën që kanë bërë do të kenë edhe një fitore tjetër plebishtare me mbi 50% të votave.

“Vazhdoj me besu se Lëvizja do ta ketë edhe një fitore tjetër plebishtare, me mbi 50% marrë parasysh punën e mirë që kemi bërë! Ky sukses pra tregon se nuk na nevojiten koalicione, si dhe ndërlidhet ngusht me njeriun që i ka pri këtij suksesi e që është kryeministri Kurti, i cili padyshim e meriton të jetë pijëtar i Qeverisë edhe për katër vitet e ardhshme!”, tha Basha.

Këto deklarime të tij vijnë diku rreth dy muaj para zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit.

Në ndërkohë, para-fushatat zgjedhore të partive politike brenda dhe jashtë vendit veçse ka kohë që kanë filluar.

Vetëvendosje si fillim fokusin e fushatave e ka në diasporë. Kurti bashkë me ekipin e tij ka kohë që organizohen e takohen me mërgimtarët. E Konjufca e deputetët e tjerë po ua përkujtojnë vazhdimisht mërgimtarëve mundësinë e regjistrimit online për të votuar pastaj në zgjedhjet e 9 shkurtit./Lajmi.net