Dikush në burg, dikush suspendohet 9 muaj: Pabarazi në trajtimin e falsifikatorëve me dokumentet e tenderëve

Një trajtim i pabarabartë po përdoret ndaj kompanive të cilat zihen duke ofertuar me dokumente të falsifikuara ose mashtruese në prokurimin publik. Nëse, Prokuroria pranon informata të tilla, hapet rast sipas Kodit Penal, por nëse kjo vërtetohet nga Organi Shqyrtues i Prokurimit dhe Prokuroria nuk e merr vesh, atëherë, kompania përjashtohet vetëm një vit nga gara për tender, dhe me pas përsëri mund të fitojë një kontratë.

Lajme

08/12/2021 20:19

Vetëm në këtë vit, Prokuroria në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj disa personave për katër tenderë të ndryshëm lidhur me mashtrim në ofertim, konkretisht disa nga ta akuzohen se kanë ofertuar me dokumente të falsifikuara. Po ashtu, disa aktakuza janë ngutur edhe në nivel vendi, shkruan lajmi.net.

Por, lidhur më paraqitjen e dokumenteve zyrtare të falsifikuar nga ofertuesit në prokurimin publik janë duke u përdorur standarde të dyfishta. Kjo për faktin se ndaj disa kompanive merren aso masash, që përjashtojnë kompanitë dhe pronarët e tyre vetëm për rreth një vit nga prokurimi publik, e ndaj disa të tjerëve me burgim dhe më pas përjashtim nga prokurimi për shumë vite.

Derisa Prokuroria po merr masa kundruall Kodit Penal për falsifikatorit ofertues, në Organin Shqyrtues të Prokurimit – OSHP ekziston një listë e zezë në të cilën futën kompanitë të cilat vërtetohen që kanë ofertuar me dokumente të falsifikuara.

Nëse institucionet dyshojnë se një kompani ka ofertuar në dokumente të rreme (të falsifikuara), atëherë bëjnë kërkesë në OSHP për ta vërtetuar atë. Në rast se vërtetohet një gjë e tillë, “Gjykata e tenderëve” merr vendim që kompania të suspendohet për rreth një vit nga prokurimi publik. Më pas e njëjta mund të ofertojë dhe të lidhë kontratë prapë me ndonjë institucion, dhe ka shumë raste që kompanitë marrin tenderë. Por, ka pasur raste kur kompanitë kanë fituar tenderë, ani pse janë futur në këtë listë dhe kanë qenë brenda datave të suspendimit.

Lajmi.net ka kërkuar një përgjigje nga OSHP-ja, lidhur më atë nëse dërgohen në Prokurori emrat e kompanive që ofertojnë me dokumente të falsifikuara, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

Nga viti 2021, deri në Mars 2021, kur OSHP kishte mbetur pa Bord, “Gjykata e tenderëve” ka pranuar mbi 30 kërkesa për përjashtim të kompanive nga prokurimet publike me arsyetimin se kanë ofertuar më dokumente të falsifikuar, ose kanë mashtruar gjatë ofertimit. Paneli i OSHP-së ka aprovuar 15 kërkesa duke përjashtuar nga prokurimet publike për rreth një vit kaq kompani.

Derisa Prokuroria thirret në Kodin Penal për mashtrimin, keqpërdormini apo falsifikimin e dokumenteve zyrtare në ofertmin e tenderëve, OSHP thirret në nenin 99 të Ligjit të Prokurimit Publik, kur ndëshkon me masa të buta një kompani. Ky nen shprehimisht thotë: “1. OSHP është përgjegjëse për zbatimin e procedurave për shqyrtimin e prokurimit sipas Pjesës IX të këtij ligji dhe kanë autoritetin dhe përgjegjësitë e parashikuara në atë Pjesë. 2. Në bazë të një kërkese me shkrim nga autoriteti kontraktues në lidhje me paraqitjen e të dhënave të rreme ose të një dokumenti të falsifikuar nga operatori ekonomik, OSHP është e obliguar dhe ka autoritetin që të shqyrtojë dhe të diskualifikojë operatorin ekonomik nga pjesëmarrja në prokurim publik për një periudhë deri në një vjeçare. 3. Të gjitha vendimet e nxjerra nga OSHP mund të shqyrtohen nga Gjykata kompetente në pajtim me ligjin për shqyrtimin gjyqësor të çështjeve administrative”.

Rastet e “Listës së zezë”

Sipas listës së zezë e publikuar në OSHP, më datë 16.02.2021, UP “Hasan Prishtina” ka bërë kërkese në OSHP për përjashtim nga prokurimi publik ndaj tri kompanive të cilat kishin ofertuar si konzorcium për projektin “Dranazhimi, Kanalizmi, Ujësjellësi në Filologjik FSHMN, Filozofik”, lot 1 dhe 2. Paneli i OSHP pasi ka dërguar pyetje ne disa dikastere publike për hulumtimin e rastit, ka ardhur në përfundim se certifikata për ekspertin e sigurisë në punë ishte falsifikuar, andaj kishte marrë vendim që tri kompanitë të diskualifikohen nga prokurimet publike nga data 15.02. 2021 deri më datë 15.08. 2021.

Më 18, shkurt ishte aprovuar kërkesa e Komunës së Junikut që të futet në listën e zezë një kompani, e cila dyshohej se kishte dhënë deklarata të rrejshme që të fitonte kontratën. E njëjta e kishte fituar “Furnizim me gjenerator për Komunën e Junikut -Ri tender”. Kur komuna kishte kërkuar furnizimin me gjenerator, kompania i kishte dërguar një gjeneratorë që nuk kishte të bënte me specifikat të cilat ishte kontraktuar.

Paneli i OSHP, kishte konstatuar që në fazën e ofertimit, kompania kishte dhënë një deklaratë të rrejshme, ngase në deklaratën e dorëzuar ka deklaruar se plotëson specifikat teknike në aneksin 1 të dosjes se tenderit dhe i ka nënshkruar duke i pranuar si të tilla, kurse pas nënshkrimit të planit të menaxhimit të kontratës, nga njësia kërkuese është bërë porosia e gjeneratorit, ku kontraktuesi ka furnizuar me gjenerator komplet ndryshe. “Vijmë në përfundim se kompania ka mashtruar komunën, duke ofertuar me dokumente të rreme ngase ofertuesi, tjera gjenerator ka ofruar më dokumente e tjetër gjenerator ne implementimin e kontratës. Andaj, konsiderojmë se një veprim i tillë konsiderohet mashtrim dhe për veprimin e kundërligjshëm”, kishte gjetur paneli i OSHP. Kompanisë i ishte ndalur pjesëmarrja në prokurimin publik nga data 15.02.2021 deri më datë 14.08.2021.

Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren kishte bërë kërkesë në OSHP që të diskualifikohet për një periudhë kohore një ofertues ngase kishte ofertuar me dokumente të pa rregullta për projektin “Sigurimi fizik i objekteve të Universitetit”. OSHP kishte konstatuar se kompania kishte mashtruar duke ofertuar me dokumente të një kompanie tjetër. Lidhur më këtë veprim, kompania ishte diskualifikuar nga prokurimi publik vetëm 3 muaj, nga data 18.12.2020 deri më datë 17.03.2021.

Edhe policia vendos në “listë të zezë” falsifikatorët, nuk i heton

Policia e Kosovës angazhon kompani që të mirëmbajë antenat e saja që i ka të vendosura në 9 pika në vende të ndryshme në Kosovë. Por, prokurimit të policisë para pak muajve i doli pak telashe që të përzgjedhë një kompani që merret me mirëmbajtjen e tyre. Policia e Kosovës konstatoi se një kompani tentoi ta mashtronte, duke paraqitur dokumente të falsifikuara që të fitojë tender nga ky organ i sigurisë. Ndaj kompanisë nuk u morën masa, konform Kodit Penal për “falsifikim të dokumentit zyrtar” . Mashtrimi që bëri ajo u trajtua me Ligjin e Prokurimit Publik. I gjithë dënimi që mori kompania është përjashtimi i saj për 6 muaj nga gara për të ofertuar në tender publik. Paneli shqyrtues i OSHP-së i përbërë nga tre anëtarë, më 25 janar ka marrë vendim që të aprovojë kërkesën e Policisë së Kosovës për diskualifikim nga pjesëmarrja në prokurim të operatorit ekonomik “, lidhur me aktivitetin e prokurimit “Mirëmbajtja e pikave të antenave”. DISKUALIFIKOHËT, EO “2 Tech”, sepse i njëjti ka ofertuar me dokument të falsifikuar, duke ofertuar vërtetimin e ATK-së të falsifikuar. Andaj, duke u bazuar në nenin 99 pika 2 të LPP Operatori në fjalë diskualifikohet për periudhën kohore 6 mujore, të njëjtit i ndalohet pjesëmarrja në aktivitet e prokurimit publik në Republikën e Kosovës, nga data 22.01. 2021 deri më datë 21.07.2021”, thuhet në vendimin e OSHP.

Madje, tek ky rast, Demoraci Plus kishte gjetur se, derisa OSHP aprovoi pjesërisht ankesën e kompanisë i cila ishte futur në “Listë të Zezë” në të njëjtën ditë që është aprovuar ankesa e tij dhe ku tenderi ka qenë i njëjtë. “Kompania 2-Tech SH.P.K është futur në listë të zezë më 22 janar 2021 për arsye se ka falsifikuar vërtetimin e ATK-së se nuk është në borxhe për tenderin “Mirëmbajtja e pikave të Antena” të publikuar nga AK – Policia e Kosovës27. Pikërisht për të njëjtin tender, kompania 2-Tech ka bërë ankesë në OSHP, e cila të njëjtën ditë, më 22 janar 2021 ka aprovuar pjesërisht ankesën, mirëpo ka lënë në fuqi vendimin e AK për dhënie të kontratës. Për më tepër, ankesa është aprovuar pjesërisht edhe pse në vendim thuhet që ATK ka cilësuar që vërtetimi tatimor është falsifikuar. Në vendim nuk ka ndonjë pikë tjetër për të cilën ka mundur të aprovohet ankesa pjesërisht. Kjo ka mundur të ndodhë për shkak se edhe eksperti shqyrtues i këtij rasti ka rekomanduar që ankesa të aprovohet pjesërisht, edhe pse edhe në ekspertizë nuk ka ndonjë pretendim që është aprovuar. Zinxhiri i papërgjegjësisë përfundon me zyrtarët ligjorë, të cilët shkruajnë vendimet, të cilët siç duket nuk kanë pasur parasysh që kompania është futur në Listë të Zezë. Ankesa e 2-Tech është dashur të refuzohet me arsyen se kompania është futur në Listë të Zezë. Për më tepër, ankesa është dashur të refuzohet vetëm se ATK ka konstatuar që vërtetimi tatimor është falsifikuar”.

Lista e zezë bie poshtë për disa institucione

Demokraci Plus, në një raport të publikuar, ka gjetur se nga 1 janar 2019, shtatë kompani kanë ofertuar në 22 tenderë gjatë kohës sa kanë qenë të diskualifikuara. Në 13 prej 22 tenderëve, autoritetet kontraktuese kanë lidhur kontratë me këto kompani. Në dy tenderë tjerë, autoriteti kontraktues ka eliminuar kompaninë që ka ofertuar pikërisht për arsye se është diskualifikuar nga OSHP.

Sipas këtij raporti, Komuna e Vushtrrisë ka nënshkruar kontratë në vlerë 25,000 euro me kompaninë Interlab SH.P.K më 11 mars 2021. Interlab është diskualifikuar nga data 1 shkurt 2021 deri më 31 janar 2022. Kjo kontratë është lidhur pas opionionit të KRPP-së dhe siç duket komuna ka vepruar sipas këtij opinioni. Megjithatë edhe po të eliminohej kompania Interlab me arsyen së ëshë diskualifikuar, komuna nuk do të gabonte.

Ministria e Infrastrukturës ka lidhur aneks kontratë në vlerë 149,785.99 euro me kompaninë R & Rukolli SH.P.K. më 5 maj 2021, ndërsa kompania është diskualifikuar nga data 9 dhjetor 2020 e deri më 8 qershor 2021.

Komuna e Pejës ka lidhur kontratë në vlerë 256,872.50 euro me kompaninë Arfa Group SH.P.K. më 17 dhjetor 2019 e cila ka qenë në listë të zezë nga data 19 nëntor 2019 e deri më 18 maj 2020.

Një tjetër kontratë e lidhur me Arfa Group SH.P.K. si pjesë e një konsorciumi është nënshkruar nga Komuna e Rahovecit me vlerë mbi 1.7 milion euro. Kontrata është lidhur më 20 dhjetor 2019, rreth një muaj pasi Arfa Group është diskualifikuar. Sipas nenit 71 të Ligjit për Prokurim Publik nëse njëri nga anëtarët e konsorciumit është i papërgjegjshëm, atëherë i gjithë konsorciumi cilësohet si i papërgjegjshëm.

D+, kishte gjetur që, dogana e Kosovës si autoritet kontraktues e ka eliminuar kompaninë As Tech SH.P.K. në dy tenderë të saj me arsyen që është e diskualifikuar nga OSHP. Mirëpo, të njëjtën gjë nuk e ka bërë për kompaninë N.T.P. Vlora, me të cilën ka nënshkruar kontratë edhe pse kompania ka qenë në atë kohë e diskualifikuar.

“Mirëpo pse ndodh që kompanitë e diskualifikuara të ofertojnë dhe të fitojnë kontrata. Arsyeja është pasi pjesa më e madhe e autoriteteve kontraktuese gjatë vlerësimit të ofertave nuk marrin parasysh Listën e Zezë, të publikuar në uebfaqen e OSHP-së. Arsye tjetër është se nuk ka mekanizëm që ua ndalon këtyre kompanive të ofertojnë. Kjo mund të bëhet në e-Prokurim duke bllokuar mundësinë që ato të dorëzojnë oferta gjatë periudhës së diskualifikimit. Ligji i Prokurimit Publik nuk parasheh ndëshkim tjetër për kompanitë e përmendura më lartë pasi kanë shkelur vendimin e OSHP-së për diskualifikimin e tyre”, thuhet në raportin e D+.

Prokuroria nuk i vendos në “listën e zezë”, por në çeli

Sot, Prokuroria Themelore në Gjilan, me urdhër të prokurorit nga Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar të dyshuarin me inicialet, I.H., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurorim publik”, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria njofton opinionin publik se ekziston dyshimi që, i dyshuari I.H., si pronar i kompanisë “Globi M.I.”, në Gjilan, përmes prezantimit të dokumenteve të falsifikuara ka arritur që ti fitonte tre tenderë në regjionin e Gjilanit, në vlerë rreth 1 milion e 900 mijë euro.

Më këto veprime i lartcekuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurorim publik”, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për të cilën gjendet nën masën e ndalimit, si dhe ndaj të njëjtit Prokuroria Themelore në Gjilan, do të vazhdojë me procedurat e mëtejme hetimore.

Po ashtu, Prokuroria Themelore në Gjilan para disa ditëve ka ndaluar të dyshuarin J.M. për 48 orë pasi dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’’.

I njëjti dyshohet se si pronar i kompanisë ‘’Tribune’’, SH.P.K. përmes prezantimit të dokumentacionit të rremë, ka arritur që të shpallet fitues në një tender për renovim dhe meremetim të objekteve spitalore, në Spitalin Regjional në Gjilan. Konkretisht, ai dyshohet se e ka falsifikuar licencën e arkitektes në tenderin e Spitalit të Gjilanit.

Ndaj të njëjtit Prokuroria Themelore në Gjilan do të vazhdojë me procedura të mëtejme hetimore, derisa Gjykata Themelore në Gjilan, ka pranuar propozimin e mbrojtësit të dyshuarit J.M, avokat Mustaf Musa duke e caktuar masën e arrestit shtëpiak.

Lidhur me keqpërdorimet me tenderë jo vetëm në Gjilan, por anembanë vendit është raportuar edhe më parë.

Sipas Ligjit të Prokurimit Publik, që një kompani të përmbushë “kërkesat e përshtatshmërisë”, për garë në një tender, duhet që të dërgojë tek autoriteti kontraktues një vërtetim të gjykatës, jo më të vjetër se gjashtë muaj, se kompania ose pronari nuk janë të dënuar nga ndonjë gjykatë kompetente. Po që se ka një dënim të tillë, atëherë kompania dhe emri i pronarit diskualifikohen nga prokurimin publik për një periudhë dhjetë vjeçare. /M.B -Lajmi.net/