Dikush e spiunoi Ballistin

Ismail Morinia – Ballisti, është spiunuar nga dikush lidhur me armën të cilën e mbante, ka njoftuar prokurori Gjergji Tako.

Sport

10/10/2015 20:06

Ballisti, personi që ngriti dronin një vit më parë në ndeshjen me Serbinë në Beograd, dikush e ka spiunuar që mbante armë në makinë. Gjatë seancës së djeshme, prokurori Gjergji Tako, foli për detajet e arrestimit të Ismail Morinës, duke pohuar se “njeriu i dronit” është “spiunuar” nga një njeri i panjohur. Ai zbuloi se policia është vënë në lëvizje, pas një informacioni konfidencial, ku personi rrëfente se me një makinë “Land Rover” lëvizte një person i armatosur”­ ka thënë ai, cituar nga “GSH”.

“Në datën 07.10.2015 patrullat e përgjithshme të komisariatit të policisë nr.1 kanë marrë informacion nga salla operative se një automjet me targë me shenja fillestare AA xxx kishte brenda njerëz të armatosur. Në orën 00:30 një patrullë ka konstatuar automjetin përballë një subjekti të quajtur ‘L…L’. Patrulla ka ndaluar dhe ka vërejtur se në timon gjendej një shtetas”.

Në makinë ndodheshin dhe tre persona të tjerë. Nga intervistimi rezultoi se në timon gjendej shtetasi Ismail Morina”­ thuhet ne dosje. Sipas saj, nga krahu i drejtuesit quhet Marin Rexha, ndërsa dy të tjerët rezultoi se quheshin Denis Balla dhe Erjon Bahushi.

“Patrulla vijoi kontrollin dhe rezultoi se Ismail Morina kishte në xhepin e përparmë të majtë të pantallonave një armë zjarri të markës ‘Zastava’, në krehrin e kësaj arme gjendeshin gjashtë fishekë. Në trupin e tre personave të tjerë nuk u gjend asnjë send i kundraligjshëm”.

“Në ambientet e komisariatit nr.1 vijoi kontrolli, ku poshtë sediljes së drejtuesit u konstatua një pistoletë tjetër e markës ‘TT’ me ngjyrë të zezë. Në dyshemenë e automjetit u gjend një gëzhojë ngjyrë bronzi. Në brendësi të kroskotit u gjend një kuti kartoni me 30 copë fishekë. I dyshuari Ismail Morina shpjegoi se armët që iu gjendën në automjet i posedonte ai dhe i mbante për vetëmbrojtje. Ai shpjegon se armën ‘TT’ e kishte gjetur në fshatin e tij në Kukës, ndërsa pistoletën ia kishte dhënë një shtetas kosovar”, thuhet në dosjen e prokurorisë, shkruan Lapsi.al