Dikur AAK i përdorte bizneset sllovene për Fondin Haradinaj, tani thirrje për bojkot
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tash po shan e po thërret për bojkot ndaj bizneseve sllovene, por dikur zyrtarët e kësaj partie i përdornin këto biznese për përfitime parash, për çka edhe ishin dënuar. Kjo ndodhte kur AAK ishte në pushtet.
Lajme
NLB Bank dje u sulmua me mjete piroteknike dhe u promovua prishja e kartelave të saj nga zyrtarët e AAK-së, por NLB dikur me emrin KasaBank ishte strehë e parave të Fondit Haradinaj’ që ishte hapur për të mbrojtur liderin e AAK-së në Hagë. Llogaritjet e Gazetës Jeta në Kosovë sugjerojnë se fondi i Haradinajt kishte mbledhur mbi 1.5 milionë euro, transmeton reporteri.net.
Në maj të vitit 2005, dy anëtarë të partisë së tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Jahja Lluka dhe Et’hem Çeku, themeluan Komitetin për Mbrojtjen e Ramush Haradinajt dhe hapën një llogari bankare për njerëzit që dëshironin të dhuronin para.
Përsëri, u përdor sistemi i donacionit me telefon, i cili u reklamua mjaft shumë në televizionet e Kosovës.
Fondi Haradinaj shpejt u vu nën hetim dhe tre persona u akuzuan për korrupsion në lidhje me metodat e tij.
Jahja Lluka nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Milazim Abazi, drejtor i bankës Kasabank dhe Hashim Sejdiu, menaxher i degës së Kasabankës në Prishtinë, u akuzuan për deklarim të rrejshëm të raporteve, pranimit të paligjshëm të kontributeve dhe mosdeklarimit të transaksioneve bankare.
Abazi dhe Sejdiu u liruan në vitin 2010, por Lluka u shpall fajtor dhe u gjobit me 10,000 euro dhe 10 muaj burg me kusht, e cila u reduktua në nëntë muaj pas apelit.
Gjykata gjeti se nga gushti i vitit 2005 deri në nëntor të vitit 2006, Lluka kishte depozituar mbi 1.5 milionë euro në fondin Haradinaj përmes një serie transaksionesh të ndryshme në KasaBank.
Në prill të vitit 2008, Haradinaj dhe Balaj u liruan nga të gjitha akuzat, pas një gjykimi trevjeçar. Brahimaj u dënua me gjashtë vjet burgim për trajtim mizor dhe tortura.
Pas tij, pasoi një rigjykimi i pjesshëm, i cili përfundoi me shpalljen të pafajshëm të tre të akuzuarve në fjalë, në nëntor të vitit të kaluar.
Ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, qeveria e Kosovës nuk i ka mbështetur financiarisht ish-luftëtarët e UÇK-së, gjersa ata gjykoheshin në ICTY.
Në korrik të vitit 2003, qeveria vendosi të “bëjë një kërkesë në Këshillin Ekonomik dhe Fiskal për të siguruar para për fondin e mbrojtjes së të akuzuarve nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë”, thuhet në një dokument të parë nga Gazeta Jeta në Kosovë.
Një kërkesë e ngjashme ishte bërë në mars të vitit 2005 nga ish-kryeministri Bajram Kosumi.
Qeveria vendosi të “krijojë një komitet për ndihmë profesionale, ligjore dhe financiare në procesin e Tribunalit të Hagës për ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj”.
Megjithatë, sekretari i përhershëm i qeverisë, Fitim Krasniqi tha se “këto vendime nuk u zbatuan kurrë”.
Disa kanë pohuar se organet e qeverisjes në mënyrë të paligjshme dhe fshehurazi kanë bërë donacione në fondin Haradinaj.