Dick Marty heton edhe çiklistët e dopinguar

20:26 | 8 Janar 2014

Dick Marty

Dick Marty është caktuar kryesues i një paneli ndërkombëtar për ta hetuar praninë e dopingut te çiklistët. Paneli do ta ketë selinë në Lozanë të Zvicrës dhe do të quhet Komisioni i Pavarur i Reformës së Çiklizmit.

Senatori dhe prokurori zviceran, Dick Marty, një hetues në zë në afera të korrupcionit dhe të drejtave të njeriut, është emëruar nga trupi drejtues ndërkombëtar i çiklizmit UCI që ta udhëheqë një panel të pavarur tre-anëtarësh në shqyrtimin e të kaluarës së dopingut te sportistët.

Paneli do ta ketë selinë në Lozanë të Zvicrës dhe do të quhet Komisioni i Pavarur i Reformës së Çiklizmit.

Presidenti i UCI, Brian Corkson tha se qëllimi i këtij paneli do të jetë “t’i hetojë problemet me të cilat është përballur çiklizmi në vitet e kaluara, sidomos dyshimet se UCI ka qenë i përfshirë në keqbërje në të kaluarën- akuza të cilat e kanë dëmtuar në masë të madhe kredibilitetin e UCI dhe sportin tonë”.

Corkson është zgjedhur President i UCI në shtator të vitit të kaluar. Paraardhësi i tij, Hein Verbruggen, ka qenë i akuzuar se ka bashkëpunuar me çiklistin Lance Amstrong në përpjekje për t’i ndihmuar atij për t’i mbuluar akuzat për përdorim të dopingut. Armstrongut i janë marrë shtatë titujt e Tour de France pasi kishte pranuar përdorimin e dopingut.

Tre vite më parë, Dick Marty kishte përgatitur një raport për Këshillin e Europës me të cilin ai akuzonte drejtues të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë edhe Kryeministrin aktual të Kosovës, Hashim Thaçi, për trafikim organesh të njerëzve gjatë periudhës së luftës së Kosovës.