Diaspora jonë s’është vetëm potencial, por një arsenal i tërë

Se çfarë arsenali të pafund përbën diaspora jonë është dëshmuar më së miri gjatë fillimit të pandemisë COVID 19, kur televizione tona në Kosovë e Shqipëri kontaktonin shkencëtarë e mjekë shqiptarë të kalibrave të ndryshëm nëpër top laboratore në Kanada, SHBA, Gjermani, Zvicër, Turqi e vende tjera, të cilët po të ishin kontaktuar në mënyrë institucionale ndër vite dhe po të ishin mirëmbajtur ato kontakte, sigurisht që menaxhimi pandemisë do të ishte shumë më i mirë dhe me shumë më pak pasoja për Kosovën dhe Shqipërinë. Ky ‘zbulim’ i arsenalit të diasporës tonë nga ana e mediave tona përbën vetëm një pikë ujë në arsenalin e madh dhe të pahulumtuar të diasporës shqiptare, nëse jo tërësisht të pashfrytëzuar, që ekziston në çdo cep të botës dhe për këtë duhet të veprojmë sa më mirë dhe sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Opinion

14/07/2020 08:56

Shkruan: Agron HOTI

Rëndësia e madhe e diasporës

E kam thënë edhe herave tjera, dua ta përsëris edhe sot, ashtu siç do ta përsëris nesër dhe deri sa të kem jetë, se janë dy shtete në botë me historira goxha të ngjashme dhe të cilat shtete u bënë gati tërësisht nga diaspora. Ato janë padyshim Izraeli dhe Kosova. Me këtë nuk dua ta përjashtoj Shqipërinë dhe kontributin e pashoq të diasporës së gjithëmbarshme shqiptare në shtet-bërjen dhe shtet-ndërtimin e saj. Shqipëria, edhe pse u bë shtet, përjetoi izolim të tmerrshëm 45 vjeçar pas Luftës së Dytë Botërore, veprim ky që privoi diasporën shqiptare të sillte mjete financiare, siç ndodhte me diasporën e Kosovës gjatë kohës së Jugosllavisë. Dallimi këtu është se lufta në Kosovë, pra në këtë pjesë shqiptare, ishte më e vonshme (1997-1999) dhe se para, gjatë dhe pas kësaj lufte diaspora e Kosovës derdhi miliarda EUR e Dollarë për të rindërtuar Kosovën e djegur dhe të bërë rrafsh me tokë.

Izraeli dhe Kosova (përfshirë Shqipërinë) janë dy shtete në glob që po të ekzistonte ndonjë mundësi mbinatyrore do të zhdukeshin nga faqja e dheut nga planet e shumta të errëta të fqinjëve të tyre. Pra, jemi dy shtete që historikisht hapur, kurse sot në heshtje, kemi qenë objekt sulmi i fqinjëve me qëllimin final shfarosjen e tërësishme. Mjafton të shohim fqinjësitë e sotme ndaj Izraelit dhe Kosovës dhe të kuptojmë se sa shumë fqinjët tanë ndrydhin ato ndjenja të errëta, e të cilat herë pas herë pëlcasin dhe u hiqet maska shoviniste si mos më keq. Mjafton të dëgjoni së fundmi përgjimet ndaj Zaevit, Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, i cili vazhdimisht shitej si pro-shqiptar, për të kuptuar se ç’mendim ka ai në të vërtetë për shqiptarët, mbi kurrizin e të cilëve ruhet paqja e shtetit të tij dhe pse jo tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kaq për krahasimin e Kosovës me Izraelin, krahasim ky i cili mund të vazhdojë me shkrime pa fund, por që nuk është qëllimi i këtij shkrimi.

T’i kthehemi diasporës tonë mrekullueshme, e cila edhe pse e përqendruar kryesisht në SHBA, Kanada, BE, Turqi e Australi, shtrihet pak a shumë në tërë globin. Dhe pa marrë parasysh se ku jeton dhe vepron ajo, asnjëherë nuk i ka braktisur e harruar rrënjët e saj shqiptare duke sjellë në Kosovë mjete financiare me miliarda EUR e Dollarë. E janë pikërisht këto mjete financiare që kanë bërë që Kosova sot 21 vjet pas luftës të mos ketë më as edhe një gjurmë të vetme të luftës shkatërrimtare. Kosova sot, ka hyrë në vallen e vendeve me potencial zhvillimor – edhe pse me jo me ritmin e duhur për shkak të problemeve politike – dhe kjo pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen. Mjafton të jemi pjesë e planeve të shumta vendore e ndërkombëtare për rrjetëzimin e Kosovës me zhvillime e dinamika rajonale e evropiane për të kuptuar shpresën në rritje për të ardhmen e këtij vendi. Sigurisht që probleme kemi, ashtu siç ka çdo shtet në botë dhe se probleme do të kemi për aq sa do të ekzistojë njerëzimi.

A ka bërë diç Kosova për diasporën tonë?

Sigurisht që Kosova me aq sa ka pasur mundësi dhe kapacitete ka ndërmarrë hapat duhur duke hapur ambasadat dhe konsullatat jashtë vendit, kryesisht në ato vende ku ka më së shumti shqiptarë dhe jo vetëm, pastaj ka hapur qendra të ndryshme kulturore, ministri për diasporën, ka nxjerrë strategji për diasporën e shumë e shumë aktivitete tjera në shërbim të diasporës tonë. Si rezultat i kësaj ndërmarrjeje të nevojshme shtetërore, diasporës sonë sot i ofrohen pothuaj të gjitha shërbimet e nevojshme nga ambasadat dhe konsullatat tona, një ëndërr kjo tashmë e realizuar e qindra mijërave shqiptarëve të Kosovës, të cilët – siç dihet – nga dhuna, terrori e fukarallëku qenë detyruar ta linin Kosovën varësisht prej fazave të ndryshme dhe të dhimbshme të historisë së saj.

Por, a është kjo ndërmarrje e shtetit të Kosovës e mjaftueshme përballë një arsenali të tërë të diasporës tonë? Sigurisht që jo. Duhet bërë shumë më shumë. Mundësitë janë. Mjetet po, duhet veprim. Duhet vizion dhe vullnet politik para se gjithash. Ç’është e vërteta, nuk është se edhe Kosova ka dërguar kuadrot më të mirë të mundshëm – nëse jo nganjëherë të gabuarit – nëpër ambasada e konsullata dhe kjo jo rrallë ka lënduar pritshmëritë e mëdha të diasporës ndaj shtetit të ëndërruar, diaspora e cila duke qenë e përvuajtur dhe idealiste për krijimin e shtetit të Kosovës, gjithmonë ka ëndërruar për një shtet më shumë se sa ideal. Dhe është mirë që kanë ëndërruar ashtu.

Diaspora jonë në botë është aq e madhe sot, sa nuk përbën më vetëm potencial për zhvillimin e Kosovës, por ajo për më tepër ofron një arsenal të tërë, të cilin Kosova dhe pse jo Shqipëria duhet ta kapitalizojnë në të mirë të së ardhmes prosperuese të vendeve tona. Shikoni të rinjët turq, prindërit e të cilëve kishin emigruar në perëndim për ca kafshatë goje, derisa sot këta djem e vajza të shkolluar në top universitete perëndimore po kthehen në Turqi për të zhvilluar vendin e prindërve të tyre. Shikoni izraelitët se sa shumë kanë shkuar në Izrael dhe kanë bërë atë sot top vendin me industrinë e IT-së më të zhvilluar në botë për siguri kombëtare dhe pse jo globale. Shikoni polakët, çekët, sllovakët, që kishin lënë vendin menjëherë pas rënies së komunizmit shkaku i paperspektivës ekonomike dhe të cilët sot po kthehen nëpër vende të tyre si investitorë.

Duke pasur parasysh që gjeneratat e reja të diasporës tonë janë lindur dhe rritur jashtë, nuk duhet harruar se nëse ne si vend i ri nuk do t’i joshnim për të kontribuar në Kosovë, atyre shumë lehtë do të mund të mos u dukej domosdoshmërisht Kosova vendi më ideal për të kontribuar dhe pse jo investuar. Kjo sepse ky arsenal profesionistësh ka mundësira të pafundme për të punuar nëpër çdo cep të botës, ku ndoshta joshja dhe kushtet do të ishin shumë më të mira se sa në Kosovë. Prandaj, Kosova duhet të bëjë çmos që të absorbojë këtë arsenal të djemve e vajzave të diasporës tonë të shkolluar nëpër top universitete në glob. Ç’është më e rëndësishmja është edhe fakti se rinia e diasporës tonë, e cila përpos frymës së re, do të kontribuonte shumë edhe në aspektin e parandalimit të korrupsionit të përhapur gjithandej, duke pasur parasysh faktin se kjo rini nuk ka shumë lidhje me rrjete e mentalitete vendore të Kosovës e aq më tepër kur dihet se kanë integritet të lartë, integritet ky i mishëruar në personalitetet e tyre të ngritura në top sistemet e edukative të vendeve ku janë lindur, rritur dhe edukuar. Pra, angazhimi i tyre në Kosovë do të ishte multidimensional dhe me përfitime të mëdha.

Çfarë duhet të bëjmë ne si Kosovë për joshjen e diasporës tonë?

1) Duke parë që diaspora jonë është pothuajse pjesë e pandashme e të gjitha zhvillimeve brenda dhe jashtë Kosovës, atëherë vendi jonë do të duhej të bënte çmos për të gjetur mundësira për përfaqësimin e tyre nëpër institucione, përfshirë atë në Parlament, nëpër mekanizma që merren me investime strategjike e orientim ekonomik si dhe mekanizma që merren me promovimin e Kosovës dhe eksporteve të saj jashtë vendit.

Kjo sepse diaspora jonë ka potencial të padiskutueshëm përfshirjeje në institucione vendore, i cili potencial, për fat të keq, Kosovës në shumë segmente i mungon, kryesisht për shkak të kaluarës së rëndë (pushtimit të gjatë) dhe pjesërisht për shkak të mungesës së ndonjë vizioni apo vullneti politik për të shfrytëzuar kapacitetet e pashfrytëzuara të diasporës. Mjafton të shohim se në ç’pozita të larta punojnë sot diaspora jonë nëpër vende të ndryshme dhe të kuptojmë arsenalin e saj. Shikoni depërtimet në shkencë, biznes, institucione, muzikë, sport, kulturë të të rinjëve tanë të shkolluar me djersë nga prindërit e tyre që kanë lënë Kosovën nga terrori serb e varfëria. Ky arsenal nuk bën të anashkalohet në asnjë mënyrë, sepse këta njerëz kanë pasur sytë gjithmonë kah Kosova, prandaj edhe meritojnë respekt dhe pranueshmëri si pjesë e pandashme e përditshmërisë dhe shoqërisë sonë.

2) Duke qenë se shekulli 21 është shekulli i dijes dhe profesionalizmit ekstrem do të duhej që Kosova në çdo qeveri të saj të krijonte një linjë buxhetore ndoshta edhe me ndihmën e donatorëve të jashtëm operues në Kosovë, përmes së cilës do të paguheshin profesionistë të fushës nga diaspora në mënyrë që ata ta kenë stimulin e nevojshëm për të ardhur e kontribuar në Kosovë. Paramendoni në ç’gjendje e kemi arsimin dhe shëndetësinë në Kosovë dhe sa shumë do të mund të kontribuonte arsenali profesionist i diasporës.

Përparësia e madhe e shfrytëzimit të këtij arsenali të diasporës është se ardhja e tyre për punë profesionale në Kosovë nuk do të ketë nevojë fare për përkthyes, ku donatorët shpenzojnë shumë mjete financiare për aktivitete përkthimi dhe ku mungesa e përkthyesve për fusha specifike është evidente në Kosovë duke shkaktuar jo rrallë paqartësira. Ç’është e vërteta ka edhe donatorë të jashtëm të ndryshëm që janë të interesuar të mbështesin diasporën tonë që të kthehen në Kosovë për punë profesionale dhe për të investuar në forma të ndryshme. E ky arsenal i diasporës tonë, me integritet të lartë etik dhe profesional, kontributin më të madh do të mund ta jepte aty ku Kosova çalon më së shumti e që janë instalimi i praktikave më të mira dhe standardeve të BE-së nëpër sektorë kyç të zhvillimit ekonomik.

Duke rritur nivelin e përfaqësimit profesional Kosova do të mund të përfitonte edhe më shumë nga donatorët dhe investitorët e huaj, kryesisht edhe për faktin se kur investitorët shohin nivelin e lartë të përfaqësimit profesional të Kosovës, ata patjetër që do ta rrisnin interesin e tyre për të investuar në një Kosovë ku do të mbretëronte meritokracia në punë. E përfaqësimi i Kosovës nga arsenali i diasporës tonë nuk duhet të bëhet vetëm nëpër institucione brenda Kosovës, por edhe jashtë saj, sidomos nëpër ambasada e konsullata e qendra të ndryshme kulturore, kur për hir të së vërtetës nuk është se kemi dërguar njerëzit më të përshtatshëm dhe më të nevojshëm të duhur. Mjafton të shohim se me ç‘aktivitete merren atje (kuptohet jo të gjithë) ose thënë më mirë me sa pak aktivitete, dhe ta kuptojmë performancën e përgjithshme të ambasadave dhe konsullatave tona në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe rritjes së nivelit të përfaqësimit jashtë vendit.

Secili kryeministër apo ministër i Kosovës do të duhej që një pjesë të këshilltarëve/eve t’i kishte nga arsenali i diasporës tonë, ashtu siç shumë agjenci profesionale do të duhej të kishin profesionistë të diasporës tonë, në mënyrë që të shtyhen përpara tema me interes për vendin. Duke ditur se këta profesionistë të diasporës tonë kanë një rrjet të tërë nëpër vendet prej nga vijnë, kjo do të ishte përfitim i jashtëzakonshëm i Kosovës për të krijuar rrjete e qasje në firma e mekanizma të ndryshëm të vendeve prej nga vijnë këta profesionistë.

3) Duke ditur arsenalin e madh që ka diapora jonë përmes firmave të shumta që kanë nëpër vende të ndryshme do të ishte e domosdoshme që Kosova përmes mekanizmave brenda dhe jashtë vendit të ndërtonte dhe për më tepër mirëmbante kontaktet duke ua mundësuar dhe lehtësuar atyre që të investojnë në Kosovë.

Ka shumë firma sot në Kosovë që në baza individuale eksportojnë prodhime të tyre te diaspora jonë (p.sh. firmat e mobilerisë, etj.) dhe kjo bëhet më shumë në baza individuale se sa nga ndonjë mbështetje shtetërore. Ky rrjetëzim me ndihmën e institucioneve të shtetit përpos që do të ndihmonte në rritjen e eksporteve të Kosovës, do të nxiste dhe rriste edhe investimet e diasporës në Kosovë. Pra, si eksportet ashtu edhe investimet e jashtme, janë dy fushat kryesore për të cilat ekonomia e Kosovës ka më së shumti nevojë për injeksion. Pra, do të duhej që tërë mekanizmi shtetëror (përshirë ambasadat e konsulltatat) së bashku me odat e ndryshme ekonomike dhe donatorë të ndryshëm të krijonin forume (një Mini Doha Raund sikur në Davos të Zvicrës) të ndryshme ekonomike ku biznesmenë shqiptarë, dhe jo vetëm, do të mund të binin në kontakt dhe të nxisnin zhvillim ekonomik në Kosovë. Falë zhvillimit të internetit dhe IT-së në përgjithësi krijimi i kontakteve dhe bashkëpunimi asnjëherë në histori nuk kanë qenë më të lehta dhe më me pak shpenzime se sa sot, prandaj duhet shfrytëzuar këto mundësira sa më shumë dhe sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Si duhet ta mirëpresim diasporën tonë në Kosovë?

Duke qenë se diaspora jonë është shumë e lidhur emocionalisht me Kosovën dhe duke qenë se sot falë teknologjisë informative është e mundshme të përcillen aktivitetet e institucioneve të Kosovës edhe nga diaspora, atëherë Kosova duhet të bëjë të pamundurën për mirëpritje sa më të mirë dhe sa më të ngrohtë të diasporës tonë. Kjo sepse shumë firma të Kosovës sot eksportojnë te diaspora jonë nëpër vendet ku jetojnë dhe veprojnë dhe sa shumë përfitime ekonomike i sjellin Kosovës paratë e diasporës, të cilat janë me miliarda EUR e Dollarë. Pra, diaspora jonë e rrit eksportin e Kosovës, rrit fuqinë blerëse në Kosovë sot dhe nesër, nëse dimë ta shfrytëzojmë siç duhet, do të na sjellë dije dhe investime, dy fushat kryesore për të cilat, secila ekonomi i botës sot dhe nesër do të ketë më së shumti nevojë.

Prandaj, Kosova do të duhej të shpallte zyrtarisht korrikun, gushtin dhe dhjetorin si sezonin e diasporës dhe brenda këtyre tre muajve të organizoheshin aktivitete në çdo cep të Kosovës, ku do të mund të merrnin pjesë diaspora jonë. Secila komunë do të mund të bënte një program tremujor duke përfshirë aktivitete të ndryshme kulturore, arstistike, panaire të ndryshme (sado simbolike të jenë), seminare e tryeza të rrumbullakëta, manifestime e aktivitete zbavitëse për të gjitha moshat, debate televizive, në radio, portale, etj. me diasporën tonë, çmimet duhet ulur e jo rritur duke pasë parasysh fuqinë e madhe blerëse të diasporës, e shumë lehtësira tjera institucionale kuptohet në përputhje me ligjet vendore dhe rregullat shoqërore që kemi. Të gjitha këto aktivitete me kalimin e kohës do të kalonin në traditë, e cila më pastaj do të vazhdohej me vite e dekada të tëra. Nëse komunat do të fillonin me programe të tilla, atëherë do të rritej dhe konkurenca mes komunave ashtu sikundër që do të rritej dhe cilësia dhe përmbajtja e aktiviteteve për diasporën.

Ashtu siç e thashë më lartë, meqë diaspora e Kosovës është unike në Evropë dhe meqë është pjesë e shtetndërtimit dhe shtetzhvillimit të Kosovës në të gjitha fazat e saj, atëherë ne do të duhej që sa më shpejtë që të jetë e mundur ta bënim atë pjesë të jetës institucionale, shkencore, kulturore, artistike, sportive, arsimore dhe gjithë-sociale në Kosovë, e mos ta shfrytëzojmë diasporën vetëm për t’i marrë votat, për ta manipuluar apo keqpërdorur për politika tona të brendshme ditore, të cilat jo rrallë janë jashtë nivelit të duhur. Sa më shumë dhe sa më mirë do të bashkëpunonim me arsenalin e pafund të diasporës tonë, aq më të shpejtë do të ishin hapat e Kosovës drejt integrimit evropian, këtu nuk do të duhej të kishim asnjë mëdyshje.

Respekt për tërë ato gjenerata të diasporës tonë, të cilat për shkaqe të terrorit serb dhe varfërisë ekstreme që sillte ky terror, qenë detyruar ta linin Kosovën, por që sytë, mendjen dhe zemrat gjithmonë i mbajtën të drejtuara nga Kosova dhe tërë populli shqiptar. Kjo e bën diasporën tonë unike dhe për këtë meritojnë respektin maksimal. /Lajmi.net/