Dialogu s’ka degraduar, AAK po ngutet

Bekim Çollaku nuk sheh arsye për largimin e AAK’së nga dialogu Kosovë-Serbi. Thotë se procesi ka qenë pozitiv dhe se marrëveshja e arritur nuk është neutrale ndaj statusit. Por, pohon se zgjedhjet eventuale në Serbi mund ta ngadalësojnë procesin.

Lajme

06/01/2014 12:10

Dialogu me Serbinë ka dhënë rezultate, marrëveshjet e arritura në këtë proces nuk janë neutrale ndaj statusit dhe AAK po ngutet kur po deklaron se nuk do ta mbështesë më këtë dialog.

Këto janë konkluzionet e nxjerra nga Këshilltari i Lartë Politik i Kryeministrit të Kosovës, Bekim Çollaku, nga një proces i cili ditëve të fundit është duke u sfiduar si nga brenda ashtu edhe nga jashtë.

Çollaku ka thënë për lajmi.net se Ahmet Isufi i AAK’së po ngutet me deklaratat e tij për t’u larguar nga mbështetja e dialogut, duke i cilësuar këto deklarata si të paanalizuara mirë.

Sukses të madh, Çollaku e ka konsideruar integrimin e strukturave ilegale në institucionet legale të Kosovës. Ai ka thënë se ata që mbështesin dialogun i ndihmojnë interesave të shtetit të Kosovës.

“Deklarata e z. Isufi është e ngutshme dhe jo e analizuar mirë. Dialogu nuk ka degraduar dhe rezultatet pozitive tanimë janë të prekshme. Zgjedhjet lokale të mbajtura në tërë territorin e Kosovës janë rezultat historik, që askush nuk mund ta mohojë”.

“Për më tepër, janë shuar në masë të konsiderueshme strukturat ilegale të Serbisë që për trembëdhjetë vjet kanë vepruar në Kosovë dhe ka filluar integrimi i tyre në strukturat dhe institucionet legale të Kosovës. Ky është sukses i madh dhe pjesë e këtij suksesi është edhe roli konstruktiv i AAK dhe i z. Shala në këtë proces”.

Nënkryetari i AAK’së, Ahmet Isufi, ka thënë dje në lajmi.net se bisedimet ndërmjet dy shteteve kanë degraduar dhe si të tilla s’do ta kenë më mbështetjen e AAK’së. Ai ka paralajmëruar se së shpejti kjo parti do të dalë me qëndrim të prerë për këtë çështje.

Çollaku thotë se Nënkryetari i AAK’së, Blerim Shala, i cili është Koordinator i këtij procesi, dhe AAK e kanë në dorë vetë të vendosin nëse duan të japin kontributin e tyre në këtë çështje që ai e vlerëson “të rëndësisë nacionale” edhe në periudhën në vazhdim.

“Pavarësisht kësaj, i takon vetë z. Shala dhe AAK të vendosin nëse duan të japin kontributin e tyre të çmuar në një çështje të rëndësisë nacionale edhe në vazhdim. Ne mendojmë se të gjithë ata që e kanë mbështetur dhe vazhdojnë ta mbështesin procesin e dialogut, kanë vepruar drejt dhe i kanë shërbyer interesit shtetëror të Kosovës”.

“Në çdo rast, Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përgjegjshme në këtë proces me vullnetin për të arritur edhe marrëveshje tjera në interes të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës”.

Ecuria e dialogut të nivelit të lartë Kosovë-Serbi, përveç në Prishtinë, është duke u sfiduar edhe nga zhvillimet e fundit në Beograd.

Presidenti serb Tomislav Nikolic ka dhënë shenja të zbehjes së mbështetjes për Kryeministrin Ivica Dacic në këtë proces prej se doli në publik propozimi që Dacic, bashkë me Hashim Thaçin dhe Catherine Ashtonin, ta marrin Çmimin Nobel për Paqe.

Për më tepër, Beogradi duket se po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme dhe kjo, sipas Bekim Çollakut, mund të ndikojë në ecurinë e dialogut.

“Zgjedhjet e parakohshme parlamentare eventuale në Serbi sigurisht se mund të ndikojnë në procesin e dialogut, duke e zvogëluar dinamikën e takimeve në nivelin e Kryeministrave. Mirëpo, vazhdimi i dialogut apo përfundimi i tij varet nga interesat e të dy shteteve dhe natyrisht nga vullneti i palës ndërmjetësuese, pra i BE”.

“Mirëpo, të tri palët e përfshira në këtë proces janë të vetëdijshme se dialogu është mënyra e vetme për arritjen e qëllimeve afat shkurtra dhe afat gjata për të dy shtetet që synojnë integrimin në BE”.

Ndërsa, sa i përket marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Çollaku pohon se ajo nuk është neutrale.

“Konstituimi i asambleve komunale në Komunat e Veriut duhet të bëhet me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale të Kosovës”.

“Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk është neutrale ndaj statusit. Kosova është shtet i pavarur që ka Kushtetutën dhe ligjet e veta. Marrëveshja e 19 prillit qartë i referohet ligjeve të Kosovës në pikat që kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale, integrimin e policisë, gjyqësisë etj”.

“Prandaj, interpretimi që bëhet nga Serbia është për nevojat e opinionit publik në Serbi, mirëpo nuk ka asgjë të përbashkët me marrëveshjen. Si përfundim, konstituimi i asambleve komunale në Komunat në Veri të vendit duhet të bëhet në përputhje me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale të Kosovës”, thotë Bekim Çollaku për lajmi.net.