Dialogu s’duhej rifilluar pa zbatimin e marrëveshjeve paraprake

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare, vlerësojnë se dialogu me Serbinë nuk duhej filluar pa zbatimin e marrëveshjeve paraprake. 

Lajme

23/12/2014 08:47

Qeveria e Hashim Thaçit ishte kritikuar ashpër nga partia e Isa Mustafës për mënyrën se si i ishte qasur dialogut me Serbinë. Por, as ardhja në pushtet e LDK-së nuk pritet të sjellë ndryshime në këtë proces. Formati i dialogut pritet të mbetet i njëjtë edhe nën qeverisjen e re. 

Kësisoj, dialogu i nisur tri vjet më parë pritet të vazhdojë me agjendë të njëjtë. Paralajmërimi se në janar do të rinisë ky dialog me qasjen dhe formatin e njëjtë po vlerësohet i pakuptimtë. Mosimplementimi i marrëveshje të deritashme do të duhej ta shtynte Qeverinë në rishikim të këtij dialogu. Të paktën kështu vlerësojnë njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe atyre politike. 

Sipas tyre, deri tani pala kosovare i është përshtatur agjendës e cila është caktuar nga Brukseli e që në shumicën e rasteve ka qenë e përcaktuar nga interesat serbe. Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, vlerëson që është i pakuptimtë vazhdimi i dialogut pa pasur zbatim të marrëveshjeve paraprake. 

Sipas tij, është e rrugës qe fillimisht të realizohen marrëveshjet e arritura më herët dhe varësisht nga realizimi i tyre të shikohej mundësia se si ët veprohet më tutje. “Përndryshe absolutisht nuk ka asnjë logjikë të vazhdohet më tutje nëse eventualisht nuk ka zbatim të marrëveshjeve. Qeveria duhet t’i caktojë prioritetet e përgjithshme qeverisëse të vendit. Varësisht nga prioritetet duhet më vënë në agjendë të bisedimeve edhe temat për të cilat duhet biseduar me Serbinë. Deri më tani i jemi përshtatur agjendës e cila është caktuar nga Brukseli dhe e cila në të shumtën e rasteve ka qenë e përcaktuar nga interesat serbe. Përcaktimi i agjendës se bisedimeve duhet të bëhet nga të dy palët”, ka thënë Hoti.