Dialogu prodhoi rezultate të prekshme

Kryeministri Thaçi thotë se dialogu me Serbinë ka prodhuar rezultate të prekshme dhe se Serbia tashmë de facto ka njohur integritetin territorial të shtetit të Kosovës. Ai foli edhe për reformën zgjedhore.

Lajme

09/01/2014 13:25

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka prezantuar punën e tij gjatë 6 viteve të tij në krye të qeverisjes.

Fillimisht ai ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët e tij dhe ka thënë se këto vite të qeverisjes së tij kanë qenë vite shumë të rëndësishme për Kosovën.

“Sot është një ditë e veçantë edhe për mua edhe për ju edhe për qytetarët e Kosovës edhe për politikën kosovare. Kaluan 6 vite të qeverisjes së përbashkët dhe dëshiroj që secilin veç e veç ta falënderoj”.

“Kanë qenë këto vitet e rëndësishme të shtetbërjes, të konsolidimit dhe forcimit të shtetit tonë. Ishin vite të rëndësishme të Kosovës për shpalljen e vendit të pavarur”.

“Ne u përballuam edhe me sfidën e nderimit të shtetit”.

Thaçi ka thënë se në vitin 2014 është e rëndësishme që të përmbyllet reforma zgjedhore. Ai ka komentuar edhe njëherë propozimin e tij, që të ftohet Komisioni i Venedikut për të lehtësuar procesin e reformës zgjedhore.

“Do të punojmë maksimalisht që në këtë vit të përmbyllim reformën elektorale që do të lehtësonte organizimin dhe më efikas dhe cilësor me standarde ndërkombëtare të zgjedhjeve të përgjithshme 2014”.

“Pres një mirëkuptim dhe angazhim të të gjithë spektrit politik, shoqërisë civile, mediave, që kjo të ndodhë shpejt dhe me sukses”.

“Unë kam dalë edhe me propozimin që të kemi edhe këshilla prej Komisionit të Venedikut. Ka pasur opinione të ndryshme dhe unë vlerësojë se një komision i tillë  do të ishte mbështetës dhe ndihmues edhe për ne si shtet i ri, si shoqëri europiane, sepse do të ishte një Komision, jo se ne nuk dimë t’i bëjmë punët tona, por nganjëherë vonohemi t’i bëjmë ato që duhet t’i bëjmë në kohë të duhur”.

Kreu i Qeverisë foli edhe për dialogun me Serbinë. Ai tha se tashmë qytetarët e Kosovës mund të prekin rezultatet reale të këtij procesi.

“Ne kemi nisur dialogun me Serbinë në vitin 2011 me kërkesë të OKB’së dhe të BE’së”.

“Sot ne kemi arritur marrëveshje të rëndësishme historike të paqes dhe bashkëpunimit”.

”Dialogu tashmë ka prodhuar rezultate të prekshme për shtetin tonë, si në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe poashtu në avancimin e integrimeve europiane”.

“Disa nga rezultatet që ka prodhuar ky proces janë marrëveshja për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave”.

“Dialogu ka bërë që pas shumë vitesh Serbia të heq bllokadat dhe embargon ndaj Kosovës”.

“Dialogu gjithashtu ka mundësuar shuarjen e strukturave paralele, pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje dhe përfshirjen e tyre në jetën institucionale”.

“Me marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, Serbia de facto ka njohur integritetin territorial të shtetit të Kosovës”.

Kryeministri Thaçi tha se ai dhe Qeveria e Kosovës gjithmonë janë të gatshëm që të dialogojnë me këdo, me të gjithë ata që duan të kenë një jetë më të mirë në Kosovë.

“Ne jemi të përkushtuar që të zhvillojmë dialog me të gjithë ata që duan të jetojnë një jetë normale, në Kosovën e re, në Kosovën europiane, në Kosovën atdhe të të gjithë qytetarëve”.

Thaçi ka qenë optimist sa i përket njohjeve të reja gjatë këtij viti.

“Pres shumë që edhe këtë vit të kemi njohje të reja për Kosovën, të rrisim numrin e njohjeve”.

Thaçi është zotuar se ky vit do të jetë vit i reformave në shumë sektorë, duke filluar nga siguria sistemi arsimor, pushteti lokal, sundimi i ligjit.