Dialogu me BE’në nuk është i lehtë

Ivica Dacic e vlerëson dialogun me BE’në si një rrugë të vështirë. Kapitujt që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, por edhe me Kosovën, mendon se do të jenë më të vështirët. Por, thotë se nuk pret kushte të reja, siç është njohja e Kosovës.

Lajme

20/01/2014 22:40

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, ka deklaruar se nuk pret që të ketë kushte të reja, në aspektin e njohjes së Kosovës, ashtu siç ishte thënë më herët.

Ai, në një intervistë për RTS, ka thënë se ka mundësi që të hapen kapitujt 23, 24 dhe 35 të udhërrëfyesve të BE’së, që kanë të bëjnë me çështjet e sundimit të ligjit dhe sigurisë në Kosovë.

“Nuk duhet të teprohet me pritje optimiste, çdo gjë do të ecë sipas kursit të saj…”

“Serbia ka marrë datën në bazë të përparimeve në dialogun me Prishtinën dhe si rezultat i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo do të thotë që kapitujt 23, 24 dhe 35 do t’i përcjellin gjatë gjithë kohës edhe bisedimet”.

Dacic ka vlerësuar se është e nevojshme që sa më shpejt të formohet Bashkësia e Komunave Serbe në Kosovë, pasi që kjo është në interes të serbëve.

“Ne kemi mjaftë probleme me Prishtinën në këtë aspekt, pasi që nuk jemi marrë vesh lidhur gjyqësorin, meqë Prishtina nuk ka treguar vullnet për kompromis. Ne nuk mund të japim përgjegjësi për fajin e Prishtinës”.

Kryeministri serb, po ashtu, ka bërë të ditur se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare nuk janë prioritet dhe se për të duhet të diskutohet.

“Na presin marrëveshjet për anëtarësim në BE, dialogu me Prishtinë, investime të ndryshme. Sipas meje, zgjedhjet nuk janë prioritet, por do të diskutojmë edhe për këtë me partnerët në koalicion”.

Konferenca ndërministrore mes Serbisë dhe BE’së do të nisë nesër, që formalisht nënkupton fillimin e negociatave për anëtarësimin e saj në BE.

Ministri serb pa portofol i ngarkuar për Kosovën, Aleksandar Vulin, do të jetë shefi i delegacionit në bisedime me BE’në lidhur me kapitullin 35, i cili përfshin raportet me Kosovën.