Di Maria: Nuk e shikoj Ligën e Kampionëve

Përforcimi i ri i Manchester Unitedit, Angel Di Maria ka befasuar duke deklaruar se nuk e shikon Ligën e Kampionëve. Ylli argjentinas preferon të kalojë kohë me vajzën e tij.

Sport

29/11/2014 09:54

Angel Di Maria nuk është aty ku e meriton të jetë.

Ish ylli i Real Madridit e ndihmoi gjigantin spanjoll të fitojë kurorën e 10-të të kampionit të Evropës në maj, por këtë edicion nuk merr pjesë në Ligën e Kampionëve, pas transferimit në Manchester United.

Dhe, reprezentuesi argjentinas ka befasuar duke deklaruar se nuk e ndjek garën elite të klubeve evropiane.

“Jo, nuk i shikoj ndeshjet evropiane. Luaj me vajzën time, është më e rëndësishme”, deklaroi Di Maria, gjatë një interviste me tabloidin britanik “Daily Mail”.

Di Maria nuk është duke bërë shaka.

Vajza e tij Mia kishte lindje të parakohshme në prillin e vitit 2013 dhe pati komplikime të ndryshme shëndetësore por për fatin e mirë tani është gjithçka në rregull dhe Di Maria dëshiron t’i qëndrojë pranë.