Di Maria, më i mirë se Ronaldo e Messi

Ish selektori i Argjentinës, Cesar Menotti kritikon Real Madridin për tretmanin e Angel Di Marias, të cilin e konsideron si futbollistin më të mirë në Spanjë më 2014. Ai po ashtu dyshon në arsyen e blerjes së James Rodriguezit.

Sport

22/08/2014 12:21

Ish selektori i Argjentinës, Cesar Menotti ka kritikuar Real Madridin për trajtimin e Angel Di Marias dhe beson se ai ka qenë më i mirë se Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo më 2014.

Di Maria luajti rol kyç në triumfin e Realit në edicionin e shkuar të Ligës së Kampionëve por konsiderohet i panevojshëm më pas ardhjeve të James Rodriguez dhe Toni Kroos gjatë kësaj vere. Trajneri Carlo Ancelotti njoftoi se ish ylli i Benficas ka kërkuar të largohet nga klubi dhe ka refuzuar ofertën për vazhdimin e kontratës në Santiago Bernabeu.

Ndërsa, Menotti mendon se Reali e ka trajtuar keq yllin argjentinas.

“Mendoj se Di Maria duhet të konsiderohet si futbollisti më i mirë në Spanjë në muajt e fundit, madje duke e dominuar Messin”, deklaroi fituesi i Kampionatit botëror 1978 për “DPA Global Media Services”.

“Mënyra se si Reali e ka trajtuar Di Marian është një padrejtësi. Ata e transferuan James Rodriguezin në përpjekje për të shitur më shumë fanella. Ai është produkt i marketingut për Realin”, u shpreh Menotti.

Di Maria pritet t’i bashkohet Manchester Unitedit ose Paris Saint-Germain në ditët e fundit të këtij afati kalimtar të verës.