Di Maria më afër Man Utd-it

Angel di Maria është gjithnjë e më afër transferimit në Manchester United. Gjiganti anglez ka intensifikuar bisedimet me Real Madridin për blerjen e yllit argjentinas.

Sport

15/08/2014 09:58

Manchester United është duke i bërë përpjekjet e fundit për transferimin e Angel di Marias nga Real Madrid pas intensifikimit të bisedimeve mes dy klubeve.

United e ka shndërruar yllin argjentinas në një prej objektivave kryesorë në ditët e fundit të afatit kalimtar të verës dhe besohet se ka paraqitur një ofertë me vlerë prej 55 milionë funte.

Reali ende nuk është përgjigjur dhe preferon ta shes futbollistin në Paris Saint-Germain.

Por, gjiganti anglez është ai që insiston në arritjen e marrëveshjes. Sipas të përditshmes sportive spanjolle “AS”, drejtori ekzekutiv i Unitedit, Ed Woodward ka zhvilluar bisedime me një zyrtar të lartë të Realit dhe palët janë gjithnjë e më afër marrëveshjes.

Di Maria deri më tani ka qëndruar i heshtur rreth të ardhmes së tij ndërsa më parë ka bërë të qartë se është tifoz i madh i futbollit anglez dhe dëshiron që një ditë të luajë në Premierligë.