“Di Maria” i Shqipërisë

Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Ermir Lenjani ka filluar të konsiderohet si Angel Di Maria i skuadrës kuqezi. Ai thotë se gjithmonë hyn në fushë për të dhënë maksimumin nga vetja.

Sport

15/11/2014 10:24

Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Ermir Lenjani, është “shpresa” e re e tifozëve kuqezinj. 25-vjeçari ka fituar zemrën e tifozëve dhe besimin e trajnerit De Biasi me performancën e tij në dy ndeshjet e fundit, duke shënuar dhe një super gol ndaj Danimarkës në “Elbasan Arena”.

Ai aktivizohet në Superligën Zvicerane me skuadrën St.Galen, nga e cila pohon se do të largohet në merkaton e dimrit. Lenjani ka filluar të cilësohet si Angel Di Maria i Shqipërisë. Çfarë do të thotë kjo për të?

“Di Maria është një lojtar i madh. Unë thjesht bëj detyrën time për përfaqësuesen. Jam Ermir Lenjani dhe me këtë emër dua të kontribuoj maksimalisht për fanellën kuqezi. Shpresoj që të kem performanca më të mira, për t’i ardhur në ndihmë vendlindjes sime drejt kualifikimit në “Euro 2016″. Uroj ta realizojmë këtë synim”, deklaroi Lenjani për “Dielli.al”.

“Unë gjithmonë futem në lojë për të dhënë më të mirën nga vetja, pavarësisht rëndësisë së ndeshjes. Kombëtarja është çështje tjetër. Është nder dhe krenari për mua të vesh fanellën kuqezi. Për sa i përket formacionit, e ka në dorë trajneri. Gjithsesi, unë do të jap në çdo ndeshje 200% nga vetja që ta ndihmoj sa më shumë Kombëtaren”, u shpreh ai.